Dy persona kanë rënë në prangat e Policisë në aksin rrugor Qafë Kashar-Rinas teksa lëviznin me makinë. Mësohet se ata furnizonin grupet kriminale me armë zjarri të cilat modifikoheshin me silenciatorë.

“Finalizohet operacioni policor i koduar “Silent”. Sekuestrohen 4 pistoleta dhe 3 armë të ftohta. Furnizonin grupe kriminale, me armë zjarri, të cilat modifikoheshin me silenciatorë, arrestohen 2 shtetas. Si rezultat i një hetimi dymujor, me metoda proaktive, të zhvilluar nga Komisariati i Policisë Vorë dhe të ndjekur në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, u finalizua në bashkëpunim me Seksionin e Hetimit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Forcën e Posaçme Operacionale, operacioni “Silent”.

Në kuadër të operacionit u arrestuan në flagrancë, teksa lëviznin me automjet në aksin rrugor “Qafë Kashar-Rinas”, shtetasit A. H., 19 vjeç dhe J. P., 20 vjeç, të dy banues në Vorë. Atyre iu gjetën 4 armë zjarri pistoleta, të cilat nga hetimet dyshohet se do t’iu shiteshin grupeve kriminale, pas modifikimit me silenciatorë. Në momentin e arrestimit, në automjet u gjet dhe 1 mjet prerës (thikë). Në vijim të operacionit, u krye kontroll në banesën e shokut të të arrestuarve, shtetasit G. Sh., 49 vjeç. Në këtë ambient u gjetën 1 dorezë metalike dhe 1 shkop gome. Për posedim të kundërligjshëm të këtyre sendeve, nisi procedimi në gjendje të lirë për këtë shtetas, për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin zyrtar.


Siç raporton gazetari i Klan News Besar Bajraktaraj, dy të rinjtë dyshohet se kanë trafikuar armë (që i merrnin nga Kosova) dhe herë të tjera edhe pse deri më tani nuk rezulton të kenë lidhje me persona të tjerë të arrestuar për trafik armësh Kosovë-Shqipëri. Pistoletat shiteshin më pas te grupet kriminale ku çmimet varionin nga 2000 deri në 3000 Euro.

/tvklan.al