Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, u ka bërë këtë të mërkure thirrje të homologëve të tij në Azerbajxhan dhe Armeni që të respektojnë marrëveshjen e armëpushimit. Ai ka zhvilluar një bisedë telefonike me secilin prej tyre dhe kërkon që të ndalen luftimet në Nago-Karabak.

Reuters shkruan se të dyja palët mohuan shkeljen e armëpushimit, por në terren ushtarët janë duke luftuar dhe po bombardohen zona të tëra.

Armenia akuzoi forcat azerbajxhanase për fillimin e sulmeve me artileri dhe raketa në disa zona. Zyrtarët armen shprehen se një avion i tyre ishte rrëzuar pas bombardimeve nga armiqtë.

Nga ana tjetër, ministria e Mbrojtjes së Azerbajxhanit akuzoi forcat armene për sulme të reja ndaj bazave ushtarake. Po ashtu autoritetet njoftojnë se gjatë ditës së fundit kanë humbur jetën disa persona, mes tyre dhe një gazetare.

Armëpushimi nuk po respektohet pavarësisht thirrjeve nga fuqitë botërore për të ndalur luftimet. Ekipet ndërkombëtare që po monitorojnë luftën kanë paralajmëruar një krizë humanitare, me njerëz të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre dhe një pandemi në rritje COVID-19./tvklan.al