Ministria e Punëve të Jashtme e Armenisë ka thënë se vendi i tyre “është i gatshëm të pajtohet” me Francën, Rusinë dhe SH.B.A., në kërkesën  për ndaljen e luftimeve me Azerbajxhanin dhe rivendosjen e një regjim armëpushimi bazuar në marrëveshjet e vitit 1994-1995. Ndërsa, Presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev, deri më tani ka refuzuar bisedimet me grupin e ndërmjetësimit të OSBE-së.

Aleati kryesor i Azerbajxhanit, Turqia, ka thënë se një armëpushim i qëndrueshëm varet vetëm nga “tërheqja e armenëve nga çdo hapësirë ​​territoriale e Azerbajxhanit”.

Në Kaukazin Jugor, numri i viktimave është rritur dhe të dy palët vazhdojnë të akuzojnë njëra-tjetrën për ndërmarrje të sulmeve vdekjeprurëse.

Në luftimet e fundit, forcat azere akuzuan Armeninë për sulme artilerie në katër fshatra, dhe për shkaktimin e viktimave civile. Ndërkohë që, Armenia thotë se ka rrëzuar shtatë dronë azerë që po fluturonin afër kryeqytetit Jerevan.

Konflikti rreth territorit të diskutueshëm shpërtheu të dielën, ndërsa kujtojmë se Nago-Karabak është zyrtarisht pjesë e Azerbajxhanit por drejtohet nga banorët armenë etnikë. Të dy vendet kanë qenë republika sovjetike dhe lufta mes tyre për këtë territor ka nisur dhe vazhduar në vitet 1988 dhe 1994, derisa u vendos për një armëpushim. Megjithatë, asnjëherë nuk është arritur ndonjë marrëveshje përfundimtare për territorin në fjalë./tvklan.al