Armëpushimi në fije të perit

Posta

Armëpushimi në fije të perit

21:20 20/10/2019

Militantët kurdë vrasin ushtarin turk

Edhe pse armëpushimi në veri të Sirisë ka hyrë në ditën e tretë, përplasjet sporadike me armë mes ushtrisë turke dhe militantëve kurdë nuk kanë munguar. Një ushtar turk u vra dhe disa të tjerë u plagosën në qytezën kufitare siriane të Tal Abjad, pasi u sulmuan me kundërtank e armë zjarri nga grupe militantësh kurdë.

Ministria turke e Mbrojtjes njoftoi se edhe ushtria turke iu kundërpërgjigj kurdëve me armë për vetëmbrojtje. Megjithatë, në thelb armëpushimi është respektuar. Afati i fundit i armëpushimit 5-ditor është e marta.

Presidenti turk Rexhep Taip Edogan paralajmëroi militantët se “do t’u shtypë kokat” nëse nuk tërhiqen nga hapësira e kërkuar nga Ankaraja në veri të Sirisë për ngritjen e zonës së sigurisë.

Në atë zonë ndodhen edhe trupa ruse, që mbështesin ushtrinë siriane të hyrë së fundi në veri të Sirisë, ndaj dhe Erdogan kërkoi bashkëpunimin e Presidentit rus Vladimir Putin.

“Këtë çështje do t’a diskutojmë me Presidentin Putin të martën pasi duhet të gjejmë një zgjidhje. Nëse funksionon, mirë. Nëse jo, ne do të vazhdojmë me zbatimin e planit tonë”.

Nga veriu i Sirisë ka përfunduar tërheqja e plotë e ushtarëve amerikanë. Ushtria turke ka nisur edhe shpërndarjen e ndihmave për banorët e veriut të Sirisë. Ndërsa ofensiva ushtarake e saj i ka marrë jetën 86 civilëve deri më tani, ndërsa ka zhvendosur nga banesat e tyre 130 mijë banorë të rajoneve kurde.

Tv Klan


Reklama
Grupi
LAJMET

Të ngjashme

Reklama
UKT
Grupi
UKT