Dëshmitari  Enver Jamaku: Ai solli nga Amerika edhe 7 pistoleta “Glock”

Detaje të reja janë zbardhur nga dosja hetimore me 11 të pandehur, mes tyre dy në kërkim. Kjo çështje ka të bëjë me zbulimin e 19 bazave të armatimeve dhe zbardhjen e disa ngjarjeve kriminale.

Dëshmitari i mbrojtur i drejtësisë, Enver Jamaku, ka rrëfyer para hetuesve se armët, Sokol Xhura i blinte tek Petrit Shera. Ky i fundit i sillte armët nga Mali i Zi, nëpërmjet një njeriu të besuar që kishte në Shkodër. Jamaku tregon se kishin blerë edhe modelet më të fundit nga vendi fqinj. Po ashtu Petrit Shera i kishte shitur Xhurës lëndë plasëse dhe eksploziv C4.

Jamaku rrëfen se Sokol Xhura i kishte thënë që të mos i prekte bidonët ku gjendej municioni pasi kishin gjurmët e gishtave të Petrit Sherës. Armët i dërgonin në punishte që t’u ndyshohej numri i serisë, u vendoseshin dylbi, po ashtu u modifikoheshin pjesët nga tornitorët.

Dëshmitari tregon se bliheshin pushkë të cilat më pasi i modifikonin dhe i bënin Snajper. Modifikimi i armëve bëhej në një barake në afërsi të shtëpis së Akil Kullës. Jamaku ka treguar se Akili, ishte i punësuar pranë Unzinës së Armëve të Ushtrisë. Ai merrte numrat e armëve që shkonin për riparim nga institucione të ndryshme dhe ato numra ja stamponte ndonjë arme të ngjashme që kishin në bazat e tyre.

Akil Kulla ndërronte armët me ato që ishin në Uzinën e Ushtrisë. Gjatë deklarimeve të dhëna para hetuesive Jamaku ka treguar se 7 armë pistoletë ‘Glock’, Xhurra i kishte sjellë nga Amerika. 

Disa nga pjesët e armëve vinin me postë në emër të Akil Kullës ndërsa pjesët e tjeta Sokol Xhura i sillte duke u futur në automjete që i blinte në SHBA.   

Klan News