Trent Alexander-Arnold ka njoftuar largimin nga Liverpool, pas përfundimit të këtij sezoni, kur i përfundon edhe kontrata.

Ishte vetë lojtari që e bëri të ditur vendimin, duke thënë se pas 20 vitesh si pjesë e të kuqve, mendon se i duhet diçka e re.

“Para së gjithash dua të them se ky nuk ka qenë një vendim i lehtë. Jam menduar shumë. Kam qenë këtu prej 20 vitesh. E kam dashur çdo minutë këtu. Kam arritur të gjitha ëndrrat e mira dhe kam arritur ato që kam ëndërruar. Pasi kam dhënë gjithçka për 20 vite, mendoj se kam arritur në një pikë ku kam nevojë për një ndryshim. Më duhet një sfidë e re për veten tim, si lojtar dhe si person. Mendoj se tani është koha e duhur për ta bërë këtë”, tha Arnold.

E ardhmja e anglezit pritet të jetë te Real Madrid. Sipas asaj që raportohet nga Anglia, klubi spanjoll dhe mbrojtësi i djathtë kanë një marrëveshje mes tyre.

Alexander-Arnold u bashkua me Akademinë e Liverpoolit në moshën gjashtë vjeçare dhe kaloi nëpër radhët e të rinjve përpara se të shkonte në ekipin e parë në vitin 2016. Ai numëron 352 paraqitje me të kuqtë, duke shënuar 23 gola dhe duke ngritur tetë trofe, përfshirë titullin e Premier League të këtij sezoni.

/tvklan.al