Teksa mandatit të Adriatik Llallës në krye të Prokurorisë i kanë mbetur edhe pak ditë ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj i jep një tjetër goditje organit të akuzës. I pyetur për rezultatet e operacionit Forca e Ligjit, Xhafaj e vuri theksin tek mungesa e besimit ndaj Prokurorisë duke shtuar se ndryshimet e pritshme nga reformës në drejtësi do të rrisin bashkëpunimin në luftën kundër krimit.

“Me ndryshimet e rëndësishme që do të pësojë prokuroria si rrjedhojë e reformës në drejtësi, unë jam shumë i bindur që do të kemi një partneritet tjetër dhe një marrëdhënie shumë më të besueshme se ç’kemi sot”.

Misionet OPDAT dhe EURALIUS u shprehën prerë se mandati Llallës përfundon me 3 Dhjetor 2017, 5 vjet pas dekretimit të tij. Duket se kryeprokurori përmbush këtë afat në 7 Dhjetor, datë kur u votua në parlament. Sipas misioneve tyre që monitorojnë Reformën në Drejtësi deri në zëvendësimin sipas ligjit të ri, parlamenti duhet të zgjedhë një kryeprokuror të përkohshëm. Xhafaj foli edhe për tre ish drejtuesit e lartë të policisë që vijojnë të jenë në arrati si të dyshuar për lidhjen me grupin e Habilajve. kontrollet e deritanishme brenda dhe jashtë vendit nuk kanë dhënë rezultat.

Policia e Shtetit ka detyrën për të bërë këtë gjë dhe unë besoj që është duke e bërë.

 

Goditja e grupeve kriminale do të bëhet nga Task- Forca speciale e asistuar nga partnerët ndërkombëtarë dhe ekspertë të FBI-së që ndodhen prej javësh në Tiranë.

Tv Klan