Një shqiptar dhe një sirian u arratisën mbrëmjen e së hënës nga burgu i Avlona në Greqi. Sipas grekes “Zougla”, ngjarja ndodhi rreth orës 21:40. Dy të burgosurit u arratisën nga qelitë e burgut të tyre në rrethana ende të paqarta.

Mësohet se jashtë perimetrit të burgut ndodhej një oficere policie, e cila pasi dalloi të burgosurit teksa po arratiseshin qëlloi në ajër në mënyrë që t’i trembte. Në këtë moment një prej tyre u rrëzua për pak çaste në tokë, por më pas u ngrit dhe e goditi policen në fytyrë, duke u larguar më pas me shpejtësi.

Ndonëse identiteti i tyre nuk bëhet i ditur, Kathimerini thekson se bëhet fjalë për të burgosur të rrezikshëm. Shqiptari i arratisur, i moshës 22-vjeçare, sipas të përditshmes greke dyshohet se është pjesë e të ashtuquajturës “mafia e burgjeve”. Momentalisht nuk ka të dhëna mbi të burgosurin tjetër të arratisur./tvklan.al