Revoltë në burgje e rrugë, ushtria përpiqet të vendos rendin.

Kaos në burgjet e Ekuadorit. Të dënuarit kanë marrë peng një numër rojesh burgu dhe i kanë kërcënuar se do t’i vrasin nëse efektivët e policisë përpiqen të rimarrin kontrollin e institucioneve të izolimit.

I gjendur në këto kushte presidenti i Ekuadorit, Daniel Noboa shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për 60 ditë, një ditë pasi i burgosuri më i kërkuar i vendit u zhduk nga qelia ku po mbahej.

Pas arratistjes së tij ka patur incidente në gjashtë nga burgjet e mbipopulluara të vendit. Rreth 3 mijë policë janë vënë në ndjekje të tij. Ushtria e Ekuadorit doli në rrugë me mjete të rënda për të mundësuar rikthimin e rendit publik, veçanërisht në sistemin e vuajtjes së dënimit. Gjithashtu autoritetet do të monitorojnë edhe zbatimin e një shtetrrethimi nga ora 23 e darkës deri në 5 të mëngjesit.

Të dielën, Adolfo Macias, kreu i bandës kriminale Los Choneros, u zhduk nga burgu i Sigurisë së Lartë në Guayaquil.

Macias, pseudonimi i të cilit është “Fito”, u dënua në vitin 2011 me 34 vjet burg për krime të ndryshme, përfshirë trafik droge dhe vrasje.

Fito është arratisur më parë nga qelia e burgut. Në vitin 2013, ai dhe 17 të burgosur u arratisën dhe u larguan me varka në lumin Daule, i cili kufizohet me burgun ku vuante dënimin.

I arratisuri u kap së bashku me vëllain e tij, një anëtar tjetër i Los Choneros, katër muaj më vonë në shtëpinë e nënës së tyre në qytetin Manta. Kjo bandë kriminale ka krijuar lidhje me kartelin e fuqishëm Sinaloa të Meksikës.

Edhe qeveritë e mëparshme në vitet e fundit kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme në përpjekje për të rritur sigurinë, por pa një rezultat konkret.

Klan News