Opinion-Në vitin 1945 Shqipëria komuniste mbylli kufijtë me fqinjët dhe tentativat për tu larguar përballeshin me pasoja të rënda. Në vitin 1948 mbyllja u bë edhe më hermetike, ndërsa në vitin 1950 kufijtë ishin të pakalueshëm.

Ligjet e vendit ndryshuan dhe tentativa e arratisjes konsiderohej tradhti ndaj atdheut dhe dënohej nga 10 deri në 25 vjet burg, por kishte raste që shndërrohej edhe në dënim me vdekje.

Masat ishin më të rrepta edhe ndaj familjarëve të atyre që arratiseshin apo tentonin të arratiseshin, ata internoheshin në fshatrat e izoluar të Myzeqesë, Labërisë apo Lezhës. Familja humbte të gjitha të drejtat dhe komunikimi me letra në shumë raste ndërpritej.

Në 45 vite të regjimit komunist, deri në vitin 1990, pati më shumë se 9600 tentativa arratisje. Mbi 8000 vetë arritën të kalojnë kufirin, kryesisht nga zona të afërta kufitare. Afro 6000 vetë konsiderohen të vrarë në tentativë për tu arratisur, 3200 të tjerë u kapën dhe u dënuan me burg.

Pikërisht kjo histori e trishtë e një kohe që nuk ekziston më është trajtuar në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu më datë 23 Qershor 2011.

Përveç postës së kufirit në atë kohë ekzistonin edhe çetat vullnetare dhe çdo person i huaj denoncohej menjëherë dhe arrestohej.

Shaban Doçi e kujton ende me detaje ngjarjen e vitit 1961, ngjarje që ndryshoi rrjedhën e jetës për të dhe familjen e tij. Siç tregon ai për “Opinion” edhe pse ishte Maj, vendi ishte i mbuluar nga dëbora. Shabani ishte familjar me zonën e kufirit dhe gjithçka i dukej më e lehtë. Por, jo çdo gjë shkoi sipas planit të tij.

“Kam qenë 27 vjeç në atë kohë dhe nuk kërkoja gjë tjetër veçse të isha i lirë, të jetoja i lirë. Telat në kufi ishin me sinjal dhe nëse prishej jepte sinjalin tek posta.

Populli në përgjithësi edhe po të të shihte nuk tregonte. Atë natë që do të arratiseshim ra borë dhe kishte mjegull. Veriu u organizua për të na kapur. Bora na bllokoi, bukë nuk kishim ngrënë dhe nuk e dinim ku ishim. Nisëm të ecnim, por ngatërruam rrugë.

Një prej atyre që ishte me mua i kërkoi bukë një djali që ishte me bagëti. Ai kishte qenë djali i kryetarit të këshillit të fshatit. Ai tregoi. Na arrestuan, na nxorën në gjyq. Pretencën e kam pasur 22 vjet, por për arsye biografie dënimin e kam pasur 15 vjet”,tregon Doçi.

Tentativa për tu larguar nuk u realizua kurrë dhe ëndrra për të shkuar diku larg u mbyll me vitet e gjata të burgut dhe më pas internimit. /tvklan.al