Organizata kriminale përbëhej nga shqiptarë dhe italianë

Një ditë pas operacionit antidrogë të zhvilluar në Itali dhe Shqipëri, gjykata italiane ka lënë në burg 25 nga 37 të arrestuarit. Pjesa tjetër do të hetohen nën masën e arrestit shtëpiak.

10 personat që u arrestuan në Vlorë e Tiranë do të dalin përballë Gjykatës Kundër Krimit dhe Korrupsionit dhe më pas të vendoset për ekstradimin drejt Italisë.

Organizata kriminale përbëhej nga 27 shqiptarë dhe 10 italianë. Mes të arrestuarve janë edhe 2 femra.

Në operacionin e drejtuar nga Antimafia Italiane, në bashkëpunim me Policinë Shqiptare dhe Prokurorinë Kundër Krimit dhe Korrupsionit u sekuestrua një sasi prej rreth 3.5 ton kanabis, si dhe heroinë e kokainë, vlera e të cilës përllogaritet në më shumë se 40 milionë euro.

Ndërkohë në Vlorë u arrestuan 7 persona, si dhe u shpallën në kërkim Robert Myftari dhe Elton Hamza. Mësohet se 47-vjeçari Myftari, cilësohet edhe si kreu i grupit kriminal.

Hetimet për këtë grup kanë nisur 5 vite më parë, ndërsa në Qershor të 2018-s u bë sekuestrimi i një sasie prej 460 kilogramë kanabis që po trafikohej nga dy italianë, nga Shqipëria drejt Greqisë, që më pas çoi edhe në shkatërrimin e grupit kriminal.

Tv Klan