Arrest me burg për 6 anëtarët e grupit “Bajri”



Arrest me burg për 6 anëtarët e grupit “Bajri”

13:39 23/11/2019

Avokati: Akuzat janë sajesë e Prokurorisë

6 anëtarë të grupit Bajri do të vazhdojnë të qëndrojë në qeli edhe pse një ditë më parë iu shuan masat e arrestit me burg të dhënë në 2018-tën pasi prokuroria nuk arriti të dërgoi në gjyq dosjen brenda afateve ligjore.

Por pas mbërritjes së disa letër-porosive nga Holanda në Prokurorinë e Krimeve të rënda është vendosur që Behar e Safet Bajri së bashku me Ilir Rustemin, boksierin Asmer Bilali dhe Ismet Idrizin do të vijojnë të qëndrojnë në qeli.

Prokuroria ka ngritur akuza të reja për gjobvënie dhe punësime në Spitalin e Shkodrës me anë të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.

Mesditën e së shtunës, gjykata e krimeve të rënda ndryshoi masën e sigurisë nga arrest në shtëpi në detyrim paraqitje për zyrtarët e spitalit në Shkodër, Senad Halluni me detyrë shef shërbimesh në maternitetin e qytetit, Florine Hoxhën , kryeinfermiere dhe Mira Nikajn përgjegjëse finance që akuzohen për shpërdorim detyre, kryer në bashkëpunim.

Një masë më e lehtë u caktua edhe për Jorida Murati e cila nga arrest me burg u la në arrest shtëpie. 32-vjecarja rezulton nga hetimet se ishte e punësuar formalisht si infermiere në spitalin e Shkodrës duke përfituar pagën pa u paraqitur në punë.

Avokati i Bajrave pas seancës u shpreh se akuzat janë sajesa të prokurorisë.

“Dosja Bajri është një flluskë sapuni dhe Prokuroria e di po aq mirë sa ne që kjo do të plasë në momentin e parë që do të hetohet me themel. Janë të njëjtat shkaqe për të cilat është vënë vendimi në 2018, dhe pasi është shuar masa e sigurimit nxirret një masë e ere për ti mbajtur të paraburgosur për të zgjatur hetimet”.

Sipas burimeve të njëjtin qëndrim në seancën me dyer të mbyllura kanë mbajtur edhe vetë të pandehurit Behar e Safet Bajri të cilët kanë akuzuar prokurori Anton Martini se ka sajuar provat ndaj tyre.

Tv Klan




Të ngjashme