Zbardhet dosja që çoi në pranga kryebashkiakun

Ish-Kryetari i Bashkisë së Lushnjes, Fatos Tushe, do të qëndrojë në burg. Gjykata e Posaçme për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi masën e arrestit në burg ndaj tij. E njëjta masë është dhënë edhe për 6 të arrestuarit e tjerë, nga të cilët 4 janë zyrtarë të Bashkisë së Lushnjes dhe dy biznesmenë të cilët akuzohen si të përfshirë në tenderin abuziv për rehabilitimin e kanalit ujitës në fshatrat Bishqethëm dhe Bitaj me vlerë 28 milionë lekë të reja. Ndërkohë që 4 nëpunësit e tjerë të kësaj bashkie do të vijojnë të qëndrojnë në arrest në shtëpi.

Televizioni Klan ka mundur të sigurojë dosjen e plotë që Prokuroria e Posaçme paraqiti në gjykatë me anë të së cilës ka bazuar akuzat ndaj ish-kryetarit të Bashkisë së Lushnjes, Fatos Tushe dhe të ndaluarve të tjerë.

Çdo gjë ka nisur pas ankimimit që ka bërë një nga firmat pjesëmarrëse në tender dhe që ka pretenduar se është skualifikuar në mënyrë të paligjshme. Menjëherë pas këtij ankimi dhe referimit nga policia, SPAK ka nisur hetimet ku nëpërmjet përgjimeve të vazhdueshme telefonike dhe vëzhgimeve në terren, janë ngritur dyshime se zyrtarët e akuzuar në bashkëpunim me njeri-tjetrin nëpërmjet procedurave fiktive kanë kryer veprime favorizuese dhe në kundërshtim me ligjin në procedurën e prokurimit publik.

Sipas prokurores së çështjes, Manjola Kajana, ish-kryebashkiaku Tushe ka pasur takime dhe biseda telefonike me biznesmenin Ibrahim Lami, i cili kishte nisur kryerjen e punimeve për kanalin ujitës, si nënkontraktor i kompanisë fituese.

Ibrahim Lami: Ai ma nisi mua ky Genti, ma nisi mua, ai plehra kishte bërë ankesë atje.

Fatos Tushe: Po e di unë atë plehrën, po shiko takoje atë njëherë, ti thotë T, ta mbylli për punë tre-katër ditësh.

Ibrahim Lami: Ja ti them B, tashi direkt tashi sa të shkoj direkt.

Në vijim të përgjimit të bisedave të zhvilluara mes Fatos Tushes dhe Ibrahim Lamit del se i përfshirë në këtë çështje është edhe një person tjetër identiteti i të cilit mbahet i fshehtë. Emri i tij i fillon me B dhe që nga komunikimi i zhvilluar lihet të kuptohet se është deputet.

Fatos Tushe: Si u gdhive, ça po bën?

Ibrahim Lami: Hiç ja sa u gdhiva, ti ça bën?

Fatos Tushe: Unë nuk erdha dot se fola dhe me atë dhe e lashë javës tjetër, por unë nesër do jem në Tiranë se ka goca provimin. Ti ça bën?

Ibrahim Lami: Hiç o hiç, ja piva një kafe me B dhe tha bëjeni mbledhjen vetë se do flasë dhe me Fatosin.

Fatos Tushe: E po mirë, të jetë mirë, a vajti në parlament oo?

Ibrahim Lami: Po vajti, biles e çova unë.

Fatos Tushe: Pse s’ishte ai çuni apo i dha prap dërmën atij.

Por hetimet për këtë tender kanë nxjerr në pah përfshirjen e ish-kryetarit të Bashkisë Fatos Tushe dhe drejtorit Flamur Peqini në një tjetër abuzim që ka të bëjë me keqpërdorimin e karburantit. Sipas akuzës Flamur Peqini me porosi të ish-kryetarit të Bashkisë komunikon me administratorin e një pike karburanti për furnizimin e mjeteve të ndryshme që s’janë pjesë e institucionit.

Tv Klan