Kryebashkiaku: Janë akuza politike

Ky është momenti kur kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla së bashku me 7 zyrtarët dhe 4 përfaqësues të disa subjekteve private sillen në Gjykatën e Posaçme, aty ku togat e zeza i rikonfirmuan masat e sigurisë.

10 prej të akuzuarve, mes të cilëve dhe kryebashkiaku Alla dhe nënkryetarja, Enkeleida LLeshi u lanë në burg, ndërsa për dy përfaqësues të subjekteve private gjykata caktoi masën “arrest në shtëpi”.

Sipas SPAK këta persona në bashkëpunim me njeri-tjetrin duke abuzuar me detyrën dhe duke shkelur ligjin kanë favorizuar dy firma të ndryshme private në fitimin e një tenderi.

Gjatë seancës së zhvilluar me dyer të mbyllura, kryebashkiaku i Bulqizës, i hodhi poshtë këto pretendime duke cilësuar akuzat si politike. Të pabazuara i cilësoi dhe avokati i tij akuzat e prokurorisë.

Megjithatë hetimet e SPAK kanë dalë në përfundimin se kryetari i bashkisë ka kryer disa shkelje penale gjatë procedurës së prokurimin publik për ndërtimin e rrjetit të furnizimit me ujë në një lagje të Bulqizës me vlerë 3.2 milionë Dollarë.

Sipas SPAK, ai dhe zyrtarët e tjerë ia kanë dhënë tenderin operatorëve “Egland sh.p.k” dhe “BE-IS sh.p.k”, duke kryer shkelje ligjore, ndërsa punimet janë kryer nga firma “OE 2AF Albania sh.p.k”, e cila zotërohet nga një i afërt i kryetarit të bashkisë.

Po për të njëjtën çështje SPAK ka vënë nën akuzë dhe Leonard Daçin, jurist dhe anëtar i KVO, për të cilin kishte njoftuar ekzekutimin e urdhër arrestit. Por ai rezultoi se nuk ishte arrestuar.

I shoqëruar nga avokati i tij mbrojtës, Daçi u paraqit vetë në seancën e sotme ku u vetëdorëzua. Ai u arrestua nga policia ndërsa vlerësimi i masës së caktuar do të kryhet në një moment tjetër.

Tv Klan