Arrest shtëpie për Flora Ndrecën

Dy kontrollorët Armand Fezga dhe Muhin Mezini do të qendrojnë në burg, ndërsa kontrollorja tjetër Flora Ndreca është lënë në arrest shtëpie. Gjykata e Tiranës në seancën për përcaktimin e masës së sigurisë të zhvilluar këtë të shtunë, pranoi kërkesën e Prokurorisë për tre të arrestuarit.

Ata akuzohen për shpërdorim detyre e kryer në bashkëpunim duke bllokuar punën në kontrollin e trafikut ajror dhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit.

Avokati i të pandehurve, duke folur pas seancës ironizoi vendimin e gjykatës e cila sipas tij i trajtoi të arrestuarit si puçistë.

“Dënuan me masën e sigurisë arrest në burg puçistët dhe pengëmarrësit e aeroportit të Rinasit. Nuk është vepër penale, është konflikt juridiko-civil”, tha ai.

Në dosjen që Prokuroria paraqiti në Gjykatë janë zbardhur komunikimet që kanë kryer kontollorët me njëri-tjetrin në rrjetin social WhatsApp.

Grupi i hetimit në bazë të bisedave ka arritur në përfundimin se Flora Ndreca, Aramando Fezga dhe Muhin Mezini kanë ndikuar tek kontollorët që të plotësojnë formularin për paaftësi të përkohshme në punë.

Në disa raste Prokuroria thotë që të dyshuarit e kanë plotësuar formularin e paaftësisë edhe për kolegët e tyre ndërsa me ata që kanë kundërshtuar kanë bërë debate deri sa i kanë bindur për të firmosur.

Ndaj bazuar në të dhënat e marra nga deklarimet dhe komunikimet e siguruara nga telefonat e sekuestruar, Prokuroria thotë në dosje se tre të arrestuarit në bashkpunim me njëri-tjetrin kanë organizuar grevën e 65 kontrollorëve.

Tv Klan