Në qeli do qëndrojnë edhe 9 të arrestuarit e tjerë

Gjykata e Posaçme ka lënë në burg gjyqtaren e Krujës Enkeleida Hoxha dhe 9 personat e tjerë të arrestuar nga SPAK për korrupsion në sistemin e drejtësisë. Ndërkohë është ashpërsuar masa e sigurisë për mjekun Edvin Prifti, që tashmë do të hetohet në masën “arrest me burg”, për akuzën e pastrimit të parave. Vendimit e gjykatës avokati i Hoxhës e cilësoi të pa bazuar duke kërkuar një masë më të lehtë sigurie me argumentin se ka fëmijë të mitur dhe duhej të kujdesej për ta.

Në nisje te seancës jashtë ambiente të gjykatës edhe babai i gjyqtares Enkeleda Hoxha ka kërkuar që vajza e tij të lihet e lirë, ndërsa është shprehur se ajo vendimet për të cilat është vënë në akuze mund t’i ketë marrë nën presion.

Pas më shume se një vit hetime të Prokurorisë së Posaçme u zbulua një skemë korrupsioni në gjykatën e Krujës ku të dënuarit përfitonin ulje dënimi kundrejt ryshfetit nga 6 mijë deri në 12 mijë Euro. Prokuroria kishte nisur hetimet kryesisht pas akuzave publike ndaj gjyqtares Enkeleida Hoxha pas lirimit me kusht të Endrit Dokles ndërsa mëngjesin e së enjtes agjentët e policisë e kanë prangosur në sallën e gjyqit.

Gjyqtarja, e cila me vendimet e saj ka liruar nga qelia edhe eksponentë të krimit si Genc Tafili dhe Hekuran Billa mësohet se po shqyrtonte kërkesën e të dënuarit për vrasje Saimir Petani, i cili sipas hetimeve do të përfitonte lehtësi nga vendimi që do të jepej. Petani mbrohej nga avokati Aldo Tabaku edhe ky i arrestuar, që përmes njohjeve me gjyqtaren Hoxha realizonte uljen e dënimit për klientin e tij deri edhe lirimin nga qelia.

Tv Klan