Dyshohet se mori 25 mijë Euro për të ndikuar në uljen e një dënimi

Gjykata e Posaçme la të pandryshuar masën e sigurisë “Arrest shtëpie” ndaj avokatit Petraq Semani.

Ky i fundit është vënën nën hetim nga Prokuroria e Posaçme me dyshimet se ka tentuar të ndikojë në Gjykatën e Korçës, që të jepnin një dënim më të ulët për shtetasin Llazar Dine në vitin 2020.

SPAK thotë se Semani u ka marrë familjarëve të Dines një shumë prej 25 mijë eurosh për këtë qëllim. Teksa gjatë marrjes së një pjese të lekëve, mbi 9 mijë euro është filmuar prej tyre.

Llazar Dine ishte dënuar me 15 vite burg për plagosje me pasojë vdekjen e një shtetasi në vitin 2016 nga Shkalla e Parë. Apeli kishte vendosur rigjykimin e çështjes dhe gjatë këtij procesi në 2020, avokati ka tentuar të ndërhyjë për të ulur masën e dënimit.

Prokuroria thotë se edhe pse avokati ka tentuar të ushtrojë ndikim gjatë rigjykimit të çështjes, në përfundim Gjykata dha të njëjtin dënim prej 15 vitesh burg.

Avokati ka mohuar akuzat e bëra nga SPAK.

Tv Klan