Një vit pas vjedhjes spektakolare të bizhuterive nga Kupola e Gjelbër në Dresden forcat speciale në Berlin arrestuan tre nga të dyshuarit për këtë krim. Të arrestuarit i përkasin një klani kriminal arab në Berlin dhe i përkasin së njëjtës familie.

Klani në fjalë dyshohet se është përgjegjës edhe për krime të tjera të mëdha, si p.sh. për vjedhjen spektakolare të një monedhe ari 100 kilogramëshe në vitin 2017 nga Muzeu Bode në Berlin.

Në kështjellën Residenz në Dresden grabitësit hynë në Kupolën e Gjelbër më 25 nëntor 2019 dhe vodhën brenda disa minutash nga një vitrinë disa koleksione stolish dhe arturinash me gurë të çmuar, perla e diamante të mbretëreshave saksone.

Ndër objektet e vjedhura bën pjesë edhe një shpatë e zbukuruar me mbi 770 diamante.

Stolitë mall i preferuar për grabitësit

Historiania e artit Ulli Seegers, e cila ka drejtuar prej vitesh degën gjermane të Regjistrit të Humbjeve të Artit (Art Loss Register), tha në një intervistë për DW se diamantet janë ndër objektet mjaft të kërkuar artistike të grabitura, sepse vlera e tyre materiale është e pamasë.

Ndryshe nga pikturat diamantet është e vështirë të njihen, sepse ato “mund t’i shkatërrohen lehtësisht dhe t’i ndash në copë të vogla”. Sipas Seegers numri i zbulimit të rasteve të vjedhjeve të stolive është më e ulët sesa i rasteve të tjera të vjedhjeve të veprave të artit./DW