Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, mbi bazën e verifikimeve të kryera kryesisht, ka regjistruar procedim penal nr. 172 viti 2020 për veprat penale ‘Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike’. ‘Korrupsioni aktiv personave që ushtrojnë funksione publike’, ‘Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike’ dhe ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’, të parashikuara nga nenet 258244259 dhe 287/1. gërmat (b) dhe (c) të Kodit Penal.

Objekt i hetimeve paraprake të këtij procedimi penal janë veprimet dhe mosveprimet e kryera lidhur me procedurën e prokurimit ‘Shërbim-Konsulencë’, për lidhjen e kontratës me objekt ‘Asistencë teknike për ndarjen e aktivitetit të shpërndarjes së energjisë elektrike nga furnizimi i energjisë elektrike së bashku me përmirësimin e cilësisë së shërbimit të klientit të OSHEE sh.a’, me fond limit 138 500 000 lekë.

Kjo procedurë prokurimi është zhvilluar në vitin 2016 nga shoqëria aksionere.

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike GROUP sh.a, shoqëri aksionare me aksionar të vetëm Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë.

Nga veprimet hetimore të kryera janë krijuar dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se shtetasit Elis Bushati, Athinta Papa dhe Irma Dërguti, anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, që kanë marrë pjesë në këtë procedurë prokurimi dhe që kanë shqyrtuar dhe vlerësuar ofertat e paraqitura nga operatorët ekonomikë pjesëmarrës, kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin nr.9643, datë 20.11.2006 ‘Për prokurimin publik’, të ndryshuar dhe me V.KM Nr.914, datë 29.12.2014 ‘Për miratimin e rregullave të prokurimit publik’, të ndryshuar, duke favorizuar në mënyrë të padrejtë shoqërinë tregtare ‘COM METODI’ S.P.A, me seli në Milano, Itali.

Njëkohësisht, nga veprimet hetimore të kryera janë krijuar dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se shtetasja Albana Ferraj, e cila gjatë kohës së zhvillimit të kësaj procedure prokurimi dhe zbatimit të kontratës për të cilën është kryer prokurimi ka kryer funksionin e Drejtorit të Divizionit Tregtar dhe Drejtorit të Kabinetit në shoqërinë tregtare OSHEE sh.a, ka marrë përfitime të parregullta, në shumën prej 131.880 euro, me qëllim për të favorizuar shoqërinë tregtare ‘COM METODI’ S.P.A në procedurën e prokurimit të zhvilluar në vitin 2016.

Me qëllim marrjen dhe përfitimin e kësaj shume monetare, që përbën njëkohësisht produkt të veprës penale të korrupsionit pasiv, shtetasja Albana Ferraj ka krijuar një marrëdhënie fiktive midis saj dhe shoqërisë ‘COM METODI’ S.P.A, duke përdorur edhe një shoqëri tjetër me seli në Shqipëri, duke fshehur dhe mbuluar natyrën e kundraligjshme të origjinës së shumës monetare të mësipërme, duke e ditur që shuma monetare përbën produkt të veprës penale. Në kuadër të hetimeve paraprake të këtij proçedimi penal, me kërkesë të Prokurorise së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, me vendimin me nr. 103, datë 18.10.2020 të Gjykatës Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Tiranë, është vendosur:

1. Caktimi ndaj shtetases Albana Ferraj të masës së sigurimit personale ‘arrest në burg’ parashikuar nga neni 238 i K.Pr. Penale, si e dyshuar për kryerjen e veprave penale ‘Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike’ dhe ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’, të parashikuara nga nenet 259 dhe 287/1, gërmat (b) dhe (c) të Kodit Penal.

2. Caktimi ndaj shtetasit Elis Bushati të masës së sigurimit personale ‘arrest ne burg’ e parashikuar nga neni 238 i K.Pr. Penale, si i dyshuar për veprën penale ‘Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo në ankande publike’ të parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal

3. Caktimi ndaj shtetases Irma Dërguti të masës së sigurimit personale ‘arrest ne shtëpi’ e parashikuar nga neni 237 i K. Pr. Penale, si e dyshuar për veprën penale Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo në ankande publike’ të parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal.

4. Caktimi ndaj shtetases Athinta Papa të masës së sigurimit personale ‘arrest ne shtëpi’ e parashikuar nga neni 237 i K. Pr. Penale, si e dyshuar për veprën penale ‘Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo në ankande publike’ të parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal.

Hetimet paraprake për këtë procedim penal janë në vazhdim e sipër dhe ende nuk kanë përfunduar.