“Jam në bisedime për një çështje të rëndësishme”

Operacioni i SPAK në Gjykatën e Krujës për ambasadoren amerikane Yuri Kim është një tregues i qartë se Reforma në Drejtësi po funksionon. Duke folur nga Durrësi, Ambasadorja Kim theksoi se kjo reformë nuk është një mrekulli, por diçka që po jep rezultate hap pas hapi.

“Për ata skeptike që kanë thënë se asgjë nuk ka për të ndodhur, se reforma në drejtësi nuk ka për të ndodhur, se SPAK nuk ka për të funksionuar, kam një lajm për ju: E keni gabim!  Do të doja që të shikoni hapat që ka marrë SPAK, të gjitha çështjet, duke përfshirë edhe rastin e sotëm në Krujë. E rëndësishme është që ta shtyni veten dhe të shkoni kundër skepticizmit. Fokusoheni në fakte, shkoni atë që po bën SPAK  dhe policia dhe mos lejoni që të shpërqendroheni nga propaganda”.

Ambasadorja nuk la pa komentuar edhe çështjen që ajo e ka patur në qendër të deklaratave të saj ditët e fundit dhe që ka të bëj me pastrimin e listave të kandidatëve nga elementët e papërshtashëm. E pyetur për kandidimin e Tom Doshit, ajo paralajmëroi se në këtë drejtim do të ketë zhvillime të reja.

“Vazhdoj ta theksoj këtë pikë, votuesit shqiptar meritojnë më shumë. Nuk është ajo çfarë duan SHBA-të, njëri apo tjetri, por ajo që meritojnë votuesit shqiptarë.Mbetet për t’u parë. Jam në bisedime për një çështje që është shumë e rëndësishme dhe në fund të ditës mund të them diçka edhe për këtë gjë”.

E pa përfunduar dita, ambasadorja zbuloi se ka folur me kryeministrin Rama pikërisht për Tom Doshin, e që nga ai ka marrë garancinë se ai nuk do ketë asnjë rol në qeveri.

 “Më lejoni t’i jap fund spekulimeve: KM Edi Rama dhe unë patën një bisedë të qartë se çfarë do të thotë ky emërtim. Në fakt, Kryeministri më kujtoi se ai e kishte përjashtuar personalisht këtë person nga Partia Socialiste. Ai theksoi se ky person nuk do të ketë asnjë rol në asnjë qeveri në çdo qeveri që ai do të formojë”

Nuk dihet nëse kjo është çështja shumë e rëndësishme për të cilën ambasadorja paralajmëroi gjatë paradites. Gjithsesi, pavarësisht deklaratave të saj kundër kandidimit tv Tom Doshit, ky i fundit ka paraqitur në KQZ kërkesën për regjistrimin e partisë së tij në zgjedhjet e 25 Prillit.

Tv Klan