Avokati i Popullit, pas protestave të zhvilluara dy ditët e fundit, njofton se ka kryer një seri inspektimesh në komisariatet e kryeqytetit si dhe në qendrat shëndetësore. Në një njoftim për mediat bëhet me dije se grupet e punës të Avokatit të Popullit kanë ndjekur nga afër jo vetëm protestën e dy ditëve të fundit, por edhe situatën pasuese, gjatë shoqërimeve të qytetarëve nga ana e Policisë e do të vijojnë ta bëjnë një gjë të tillë në vijim në përputhje me mandatin tonë të përcakuar në ligj.

Avokati i Pupullit deklaron se numri i të shoqëruarve ka qenë i lartë: 124 persona, nga të cilët 57 të mitur. “Të miturit janë lënë të lirë pas verifikimit të tyre dhe në momentin e inspektimit janë gjendur vetëm 2 të mitur të arrestuar, njëri 16 vjeç dhe tjetri 17 vjeç. Ky është një numër disa herë më i lartë se kapacitetet e shoqërimit dhe ndalimit në drejtoritë vendore dhe komisariatet e kryeqytetit, të cilat kanë mundësi akomodimi vetëm për 33 të shoqëruar dhe rreth 25 të arrestuar”, theksohet në njoftim.

Sqarohet se dhomat ku mbaheshin të shoqëruarit ishin të pajisura me dezifektantë dhe në disa prej tyre kishte maska por nuk ishin në numër të mjaftueshëm për ta.

Për sa i përket dhunës nga Policia, Avokati i Popullit sqaron se “nga të ndaluarit, pati vetëm një numër të kufizuar pretendimesh për veprime të dhunshme nga ana e punonjësve të Policisë por nuk pati ankesa formale të paraqitura për të mundësuar më tej hetimin e institucionit tonë”.

Gjithashtu Avokati i Popullit njofton se përgjatë shoqërimeve në Polici të pjesëmarrësve në protestat e fundit, janë shoqëruar edhe disa të mitur nën moshën 14 vjeç.

Për sa i përket rastit të punonjësit të medias Xhoi Malësia, shpjegimi verbal nga autoritetet policore ishte se ai nuk është trajtuar si i shoqëruar dhe nuk është mbajtur në dhomat e shoqërimit”, sqaron institucioni.

Për tre ditë me rashë në Tiranë janë zhvilluar protesta të dhunshme, ku qytetarët janë përplasur me efektivët dhe ka pasur shumë arrestime. Protestat janë ndezur pas vrasjes së të riut Klodian Rasha./tvklan.al