“14 të pandehur nga PD-LSI, prova se kush nuk do depolitizim”

Komisionerët e arrestuar në Durrës, të kapur duke manipuluar votat ditën e zgjedhjeve, për Kryeministrin Rama janë një argument më shumë në debatin për depolitizimin e administratës zgjedhore. Në një reagim pas firmosjes së 22 fletë-arresteve, Rama u shpreh se kjo është arsyeja pse depolitizimi është domosdoshmëri.

“Arrestimi i komisionerëve politikë të dosjes së famshme të Durrësit, nxjerr në pah psenë e domosdoshmërisë së depolitizimit të administratës zgjedhore!”

Por Kryeministri shkon më tej në arsyetimin për arrestimin e 22 komisionerëve që lejuan manipulimin e votave, pasi shumica prej tyre i përkasin opozitës aktuale. Kjo është një arsye, thotë ai, përse opozita nuk e do depolitizimin.

“14 të pandehur të PDLSI dhe 8 të PS janë prova se kush bërtet më shumë e nuk do depolitizim, i ka duart të zhytura thellë në llum! Për mua janë 22 individë të gabuar, në vendin e gabuar dhe detyrën e gabuar,që duhet të shërbejnë si shembull i padiskutueshëm për largimin përfundimtar të partive politike nga komisionet e zgjedhjeve! Le të vendosë drejtësia për ta pa dallim dhe mësimi për ne është: DEPOLITIZIM!”

Depolitizimi i administratës zgjedhore u mbështet nga Partia Socialiste në diskutimet e Këshillit Politik. Por me këmbënguljen e Partisë Demokratike, administrimi i votave iu la komisionerëve të partive, njësoj si zgjedhjet e kaluara, variant që Rama e pranoi si detyrim të Partisë Demokratike, megjithëse e shprehu publikisht se nuk e dëshironte.

Tv Klan