Iu gjet në dhomën e hotelit një pistoletë dhe dokumenta false grek
Ky është momenti i arrestimit të Artan Tafanit, 39-vjeçarit që me dëshmitë e tij zbardhi 6 vrasje dhe 12 ngjarje të tjera të rënda. Siç duket në këto pamje, ai u neutralizua poshtë krevatit në një hotel në autostradën Lushnjë-Fier. Fillimisht ai bëri rezistencë, por kuptoi që ishte i rrethuar, u dorëzua. Atij iu vunë prangat nga forcat operacionale, në vendlindjen e tij.
Policia zbuloi se Tafani, mbante me vete një çante me dokumente, para dhe sende të tjera. Brenda çantës, të cilët e mbante në dhomën ngjitur me vendin ku u arrestua atij iu gjet edhe një pistoletë me fishek në fole dhe në karikator, dhe dokumente greke, që dyshohet se janë të falsifikuara.
Gjithashtu iu sekuestruan rreth 200 Euro, tre celularë si dhe doza me lëndë narkotike.
Gjatë bisedës me punonjësit e policisë ai mohoi që sendet e kundraligjshme të ishin të tijat.
Pas dëshmisë së Tafanit, një pjesë e familjes së tij që jeton në Shqipëri, është marrë në mbrojtje nga policia. Autoritetet janë duke kryer procedurat për përfitimin e statusit të të penduarit.
Dëshmia e tij pas arrestimit zbërtheu ngjarjet kriminale të Laert Haxhiut mes tyre 6 vrasje, 5 raste të shpërthimeve me eksploziv, 3 vjedhje me dhunë, 3 rasteve të sigurimit të kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje dhe 1 rast të kanosjes së punonjësve të policisë. Nga dëshmia e 39-vjeçarit Tafani, u faktua se ata ishin vrasësit e Çajup Selimit, Fridman Xhaferajn, Alban Semakun dhe Albi Bashaliun.
Ndërsa në Greqi, janë vrarë Lulzim Qorri dhe Dikens Halili, të ndodhura në 2018 dhe në 2021.
Klan News