Do paguheshin për krimin duke siguruar edhe mjetet

Në orët e para të mëngjesit të së enjtes, forcat RENEA vunë në pranga 2 persona të tjerë, të akuzuar si bashkëpunëtorë në ekzekutimin e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia, në 27 Prill 2020, në dalje të qytetit të Durrësit. Të arrestuarit janë Besian Xhixha, 30 vjeç nga Larushka e Krujës dhe Enver Diva, 42 vjeç, banues në Fushë Mamurras të Kurbinit.

Nga hetimet është zbuluar se këta 2 persona janë kontaktuar nga Nuredin Dumani dhe Talo Çela të cilët u kanë premtuar shuma parash në këmbim të vrasjes së vëllezërve Haxhia. Dy të arrestuarit e fundit kanë pranuar të kryenin ekzekutimin dhe i kanë mbajtur nën vëzhgim vëllezërit gjatë periudhës së pandemisë. Por ditën kur ishte planifikuar vrasja, Enver Diva që shihni në këtë foto, u sëmur me koronavirus dhe u tërhoq. Sipas policisë, kjo ka bërë që Talo Çela të kryejë vetë vrasjen, në bashkëpunim me Nuredin Dumanin, Altin Ndocin dhe Klevis Allën.

Përplasja mes vëllezërve Haxhia dhe Talo Çelës, një person ende në kërkim nisi për shkak të konflikteve për ndarjen e parave të grabitura në pistën e aeroportit të Rinasit. Në vazhdën e këtyre konflikteve dyshohet se Talo Çela dhe Nuredin Dumani organizuan edhe vrasjen e Dorian Shkozës dhe Anxhelo Avdisë në Mars të një viti më parë në Durrës. Grabitja e Rinasit është pasuar me një seri vrasjesh në Durrës dhe Elbasan.

I gjithë grupi u zbulua nga dëshmia e të penduarit të drejtësisë Klevis Alla i cili ndodhet në qeli. Mësohet se ai ka rrëfyer si u nxorën në pritë vëllezërit Haxhia, ku u fshehën armët dhe makina e përdorur në krim. SPAK thotë se po përpiqet të zbardhë nëse ka persona të tjerë të implikuar në këtë grup, apo nëse ka vrasje të tjera të kryera prej tij nëpërmjet pagesës.

Tv Klan