Turqia është ngritur në protesta që pas arrestimit të kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamoglu, duke shkaktuar kështu qindra arrestime.

Raportohet se të paktën 343 protestues janë vënë në pranga përgjatë ditës së tretë të demonstratës, në të gjithë vendin, sipas BBC.

Më tej bëhet me dije se për shkak të protestave ka pasur lëndime të uniformave blu, të paktën 16 oficerë të plagosur.

Edhe pse me urdhër të guvernatorit u mbyllën të gjitha rrugët që të çojnë në ndërtesën e bashkisë së Stambollit, kjo gjë nuk i ka ndaluar qytetarët të protestojnë, të cilët gjithashtu i kanë shtrirë demonstratat e në qytetet e tjera të vendit, siç është dhe Ankara.

Të mërkurën (19 mars), u arrestua Ekrem Imamoglu, nën dyshimin e korrupsionin dhe të përfshirjes në terrorizëm. Kjo gjë nuk u prit mirë nga qytetarët, referuar faktit se ai pritej të kandidonte përballë kreut të shtetit turk, Erdogan, në zgjedhjet presidenciale. Protestuesit e kanë konsideruar arrestimin e Imamoglu si një goditje ndaj demokracisë.

Sakaq, Erdogan është shprehur se nuk do të “dorëzohet” para protestave./tvklan.al