Arrestimi i kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamoglu, ka shkaktuar protesta në qytetin turk, pasi e konsiderojnë si goditje ndaj demokracisë, siç raporton Reuters.

“Ndërsa autoritetet mbyllën rrugët rreth Stambollit për të parandaluar protestat pas arrestimit të Imamoglu, rreth 100 njerëz u mblodhën në stacionin e policisë ku ai u mor, duke brohoritur parulla anti-qeveritare.”, shkruan Al Jazeera.

Imamoglu u arrestua mëngjesin e sotëm, e do të mbahet në qelinë e paraburgimit për 4 ditë, pas dyshimeve se ai ka lidhje me korrupsionin dhe terrorizmin.

Sakaq, një ditë më parë, Universiteti i Stambollit i anuloi atij diplomën, pasi supozon se ka parregullsi. Një gjë e tillë, mund ta pengojë atë të kandidojë në zgjedhjet presidenciale, pasi sipas Kushtetutës së Turqisë, presidentët duhet të kenë mbaruar arsimin e lartë për të mbajtur postin drejtues.

Kjo gjë u cilësua nga ana e Imamoglu si një veprim i “pabazë ligjërisht”, duke shtuar se universitetet “duhet të mbeten të pavarura, të lira nga ndërhyrjet politike dhe të përkushtuara ndaj dijes”, raporton BBC.

Prokuroria e Stambollit, në bazë të hetimeve të kryera, ka arritur në dyshimet se ai, së bashku me 100 persona të tjerë, mes të së cilëve ndodhen gazetarë e biznesmenë, janë përfshirë në aktivitete kriminale që lidhen me tendera të dhënë nga bashkia.

Po ashtu sipas hetimeve ku është i përfshirë kryebashkiaku i Stambollit dhe gjashtë të tjerë akuzohen për ndihmë ndaj Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), e cila konsiderohet një organizatë terroriste nga Turqia dhe aleatët e saj perëndimorë./tvklan.al