Nën akuzat e “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkeljes së barazisë në tendera”, kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla, u arrestua mëngjesin e 16 Marsit me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme.

Bashkë me të, në pranga ranë edhe 7 zyrtarë të tjerë të Bashkisë, mes të cilëve edhe nënkryetarja Enkeleda Lleshi. Ata dyshohet se kanë shkelur rregullat dhe procedurat ligjore në tenderin për ndërtimin e Ujësjellësit në Bulqizë me vlerë 3.2 miliardë Lekë.   

Të përfshirë në skemën e përfitimit të tenderit në mënyrë favorizuese, janë edhe 4 persona, përfaqësues të kompanive që sipas SPAK ishin futur në garë fiktivisht. Ata akuzohen për “Falsifikim të dokumenteve” dhe Falsifikim të formularëve” në funksion të procedurave të tenderit.

Analiza në bazë dokumentesh dhe përgjimet e kryera, sipas SPAK, treguan se Alla në bashkëpunim me nënkryetaren e Bashkisë, Enkeleda Lleshi dhe zyrtarët e tjerë, specialistët e prokurorimeve dhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, kanë bërë të mundur që këtë tender ta fitonte me dokumentacion kompania BOE Egland shpk dhe BE-IS shpk, duke krijuar avantazhe për këta subjekte gjatë procedurës së prokurimit.

Prokuroria e Posaçme thotë se është dokumentuar që punimet për ujësjellësin në të vërtetë janë kryer nga kompania “OE 2AF Albania shpk” me administrator të hetuarin Aqif Konesha, lidhje shoqërore e kryetarit të Bashkisë Lefter Alla.

Zyrtaret e arrestuar:

Lefter Alla, kryebashkiak i Bulqizës

Enkeleda Lleshi, nënkryetare e Bulqizës

Rubin Kola, zyrtar në Bashki

Erion Isaku, zyrtar në Bashki

Leonard Daci, zyrtar në Bashki

Arseb Gjoka, zyrtar në Bashki

Kujtim Zogu, zyrtar në Bashki

Denis Xholi, zyrtar në Bashki

Përfaqësues të kompanisë

“Arrest në burg”

Rasim Daci

Dalo Gazidedja

Aqif Konesha

“Arrest në shtëpi”

Kastriot Ibrahimaj

 Ana Nishku

Tv Klan