Arrestimi i dy mjekëve të Spitalit të Traumës 2 ditë më parë për ryshfet, ka bërë që sindikata e mjekëve të dalë sot në protestë duke kërkuar lirimin nga burgu të kolegëve të tyre.

Vendimin për t’i lënë në arrest me burg mjekët Serdi Memini dhe Ervin Sulajn e konsiderojnë të padrejtë.

“Vendim është i padrejtë. Ne nuk paraqesim rrezikshmëri shoqërore, bluzat e bardha të mos trajtohen si kriminelë. Rysheti është dhënë dhe do vazhdojë të jepet nëpër spitale, duhet reformim. Në varësi të vendimit që do marrë gjykata, ne do të vendosim në lidhje me veprimet që do ndërmarrim”, thanë mjekët.

Kirurgu ortoped Serdi Memini dhe anestezisti Ervin Sulaj u arrestuan pasi dyshohet se morën ryshfet nga babai i Elmilind Dylit, që mbeti i plagosur në masakrën e Velipojës javën e kaluar. Mjekëve iu gjetën gjatë kontrollit 377 mijë Lekë të reja dhe 55 Euro.

Deklarata e plotë e Sindikatës së Punonjësve të Shërbimit Shëndetësor

“Sindikata e Punonjësve të Shërbimit Shëndetësor përcjell me shqetësim situatat e krijuara nga paragjykimi që i bëhet kolegëve mjekë duke hedhur baltë mbi punën vetëmohuese dhe të pavlerësuar për dhënien e shëndetit dhe uljen e heqjen e vuajtjeve të pacientëve me të cilët ata punojnë.

Kjo Sindikatë distancohet nga çdo lloj veprimi abuziv dhe korruptiv që mund të kryhet në emër të dhënies së shërbimit shëndetësor nga bluzat e bardha, por nuk mund të lejojë që këto bluza të bardha të cilat shpëtojnë jetën e njerëzve pa bërë dallimin nëse janë të bardhë apo të zinj, të kuq apo blu, të trajtohen njësoj sikurse kriminelët të cilët marrin këtë jetë të çmuar për secilin nga ne.

Sindikata nuk e sheh oportune ndalimin e një mjeku i cili nuk paraqet rrezikshmëri shoqërore, bazuar kjo në nenin 228-229 të Kodit Penal dhe madje e konsideron të shpejtuar veprimin e prokurorisë për masën e sigurisë “Arrest me burg” për diskutime të të tretëve nëpër telefona të cilët përmendin emra të ndryshëm pa asnjë provë tjetër dhe kur mundësia për t’iu shmangur hetimit, ndikuar në të apo për t’u larguar, është inekzistente.

Ligji parashikon se ndalimi bëhet kur pretendohet se vepra penale është në kryerje e sipër dhe më pas arresti me burg kërkohet dhe vendoset nga gjykata kur individi apo punonjësi i arrestuar ka rrezikshmëri të lartë shoqërore, nuk kanë asnjë mundësi të ndikojnë apo manipulojnë provat dhe nuk kanë asnjë interes të largohen dhe t’i fshihen drejtësisë pasi në atë rast do të humbnin gjithçka kishin arritur në punë dhe profesion.

Për të gjitha arsyet e mësipërme ndalimet apo arrestimet e kryera të mjekëve me shou publik dhe mediatik pa asnjë provë të drejtpërdrejtë janë abuzive në kundërshtim me ligjin dhe shkelje e hapur dhe cenim i integritetit personal dhe profesional të punonjësve shëndetësorë.

Sindikata jonë si përfaqësuese legjitime e tyre kërkon nga organet policore, hetimore dhe gjyqësore ndalimin e menjëhershëm të këtyre abuzimeve dhe njëkohësisht garanton të gjithë punonjësit shëndetësorë se do t’i ndjekë deri në fund dhe me çdo mënyrë çdo rast abuzimi të kësaj natyre.” /tvklan.al