Pas arrestimit të mjekut (reanimator) Fitim Markut në ambientet e spitalit, ka reaguar Spitali Universitar i Traumës.

Përmes një deklarate zyrtare, Spitali “inkurajon organet e drejtësisë për të çuar deri në fund hetimin dhe zbardhjen e së vërtetës dhe për të vënë para përgjegjësisë këdo që përfshihet në veprime të kundërligjshme, përkundrejt shërbimit që ofrohet për qytetarët”.

“Raste të tilla nuk duhet të përkthehen në njollosjen e të gjitha bluzave të bardha, mjekëve dhe infermierëve, të cilët e kryejnë me përkushtim dhe korrektesë punën e tyre çdo ditë në shërbim të pacientëve”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e spitalit.

Spitali Universitar i Traumës garanton qytetarët se në këtë spital nuk është ndërprerë dhe nuk do të ndërpritet për asnjë moment shërbimi i kujtdo që ka nevojë për kujdes shëndetësor.

Prokuroria njofton se mjeku është arrestuar në flagrancë teksa merrnte para nga pacientët për kryerjen e skanerave.