Pas arrestimit të 34-vjeçarit Redjan Rraja, i dyshuar si një nga autorët e atentatit ndaj prokurorit Arjan Ndoja dhe dy personave të tjerë, ka reaguar deputeti socialist Rrahman Rraja.

Në një prononcim për ABC News, Rraja u shpreh se nuk është ne dijeni të përfshirje së nipit të tij në atentat dhe se nuk kanë lidhje të afërta me të.

“Nuk jam në dijeni të përfshirjes së Redjanit në atentat. Redjani është më larg se kushëri i tretë për mua. Gjyshi i Redjanit dhe babai im janë vëllezër për babë me nëna të ndryshme. Unë nuk përkrah askënd. Kushdo që është përfshirë në aktivitet kriminal, duhet të japë llogari para ligjit. Lajmin e mora vesh nga mediat, sepse vetë isha në një takim pune”, u shpreh deputeti.

Në atentatin e së premtes mbeti i plagosur prokurori i Durrësit Arjan Ndoja, Andi Maloku dhe Pëllumb Muharremi. Këtë të martë, policia njoftoi arrestimin e 34-vjeçarit Redjan Rraja, si një prej autorëve të dyshuar./tvklan.al