Familja Zaimaj në Cërrik është e shokuar nga lajmi për arrestimin në Majlazi të djalit të tyre të akuzuar për terrorizëm. Nëna e Klodian Zaimajt, Afërdita ka vënë kujën

“ky është një kurth ose nga Shqipëria ose nga Malajzia”.

Ajo thotë se Klodjani, ose siç njihej ndryshe Ibrahimi, u largua nga Shqipëria kur ishte 16 vjeç.

Afërdita Zaimaj nëna e Klodjan Zaimajt: “Nuk pranoj, asgjë nuk pranoj. Nuk pranoj sepse skam një edukatë të tillë, skam një fëmijë të tillë. Kam një fëmijë që ka ikur pa mbushur 16-vjeç. Ka mbaruar shkollën derisa u bë docent. Jep mësim në universitet. U jep studentëve. O zot, ia ka bërë këtë, o Zot!”

Klodjan Zaimaj, kohët e fundit ka qenë në Shqipëri sepse nëna e tij ishte e sëmurë. Në muajin Mars ishte bashkë me fëmijët. Për të qetësuar nënën i ka dërguar edhe foto nga universiteti në Malajzi, ku thoshte se punonte si pedagog. 

“Edhe na ka nxjerrë, mami shiko ku jam. Jam në universitet, jam me nxënësit, jam me pedagogët.”

Edhe i ati i Klodjanit tregon se para se të ikte në Malajzi ka qenë në Arabi, në Mekë, më pas në Shqipëri. Prindërit e profesorit Klodjan Zaimaj i kërkojnë shtetit të ndërhyjë, pasi ka 4 fëmijë.

“Shteti ka gurin ka edhe arrën. Është mirë të kujdeset për shqiptarët që janë jashtë shtetit. Se mund të bëjnë shumë gabime shtetet atje, hajt se janë shqiptarë dhe ua fusin shqiptarëve.”

Shqiptari nga Cërriku, i cili u arrestua 3 ditë më parë në Malajzi për terrorizëm, është dhëndër i një përfaqësuesi të Myftinisë në Belsh. Ai ka mbaruar studimet në Jordani për teologji. Ai ka drejtuar edhe një falje për ditën e Bajramit me 25 Qershor të këtij viti, në fushën sportive të qytetit të Cërrikut. Në këtë kohë ndaj tij kishin nisur edhe hetimet nga autoritetet policore malajziane.

Lajmin për arrestimin e tij u dha fillimisht nga mediat malajziane. Policia shqiptare konfirmoi të dielën arrestimin e 35 – vjeçarit. Myftinia e Elbasanit reagoi për rastin, duke thënë se ai ishte ndjekës i Medresesë së Cërrikut, që tashmë është mbyllur, pasi myftinia e konsideronte si bazë radikale. Ky është rasti i dytë i një shqiptari të arrestuar në Malajzi për terrorizëm.

Në Shtator të vitit 2015, 20 – vjeçari Ardit Ferizi nga Kosova u arrestua nga FBI-ja, për hakerimin e informacioneve sekrete të ushtrisë amerikane. Për këtë veprim, ai u dënua nga një gjykatë amerikane me 20 vite burg.

Tv Klan