Vetëm pak pas arrestimit të Kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Rroshi, ka reaguar Partia Demokratike.

Me anë të një njoftimi për shtyp, selia blu shkruan se, i diskredituari Elvis Rroshi, modeli i Edi Ramës për pushtetin lokal, edhe pse pati dhe e ka edhe sot mbrojtjen e pakursyer të shefit të Rilindjes, ra në më në fund, sepse dekriminalizimi po funksionon.

Duke iu referuar reagimit të Kryebashkiakut pas arrestimit, PD thotë se, pavarësisht kësaj, Rroshi, gjen sërish kurajon të kërcënojë dhe thotë se nuk e lëshon Bashkinë e Kavajës, sikur ta ketë pronën e tij, sikur ta ketë hambarin personal.

Për opozitën këto janë fjalët, janë qëndrimet, janë kërcënimet e Edi Ramës, që shprehen përmes zëdhënësit të tij për dekriminalizimin, Elvis Rroshi.

“Por i dënuari në disa vende të Europës, për drogë e përdhunim, përdoruesi i 5 emrave, falsifikuesi i formularit të dekriminalizmit, dhe shefi i tij Edi Rama, shpejt do ta kuptojnë se po vjen fundi i krimit në politikë. Dhe do të përballen me ligjin deri në fund. Rroshi është turpi i Edi Ramës, i Kavajës, i Shqipërisë. Me kandidimin dhe rikandidimin e tij, Rama poshtëroi qytetarët e vendit. Por më në fund, e drejta triumfoi. Dekriminalizimi u vu në jetë, dhe dekriminalizimi është në shërbim të vendit, të çdokujt, të majtë e të djahtë e të paparti, që kërkon të ketë në bashki, në zyrat publike, në krye të vendit, përfaqësues me dinjitet e integritet dhe jo trafikantë, vrasës, tutorë, përdhunues, të cilët populli nuk i do dhe nuk i deshi për asnjë moment, por që Edi Rama ua imponoi me forcë”,

e përfundon reagimin e saj Partia Demokratike.

Elvis Rroshi u arrestua pasditen e sotme nga Policia, me kërkesë të Prokurorisë, për deklarim të rremë në formularin e Dekriminalizimit. /tvklan.al