Policia e Korçës njoftoi mbrëmjen e kësaj të premteje arrestimin e Martina Pajollarit. 18-vjeçarja nga fshati Marjan i Korçës sipas njoftimit të uniformave blu dyshohet se është e përfshirë në vrasjen e 26-vjeçarit Martin Çeço në fshatin Kolanec të Maliqit.

Në emisionin “Uniko” në Klan Plus të datës 12 Shtator 2022, Tina Pajollari deklaronte në intervistën për gazetarin Spartak Koka se në një deklaratë të dhënë përpara policisë ishte vetëimplikuar si bashkëpunëtore në vrasje. Ajo tregoi në këtë intervistë se si policia e kishte marrë dhe e kishte dërguar edhe në Kolanec për të treguar se edhe ajo kishte qenë në mjetin ku pretendohet se udhëtonin edhe 3 të arrestuarit e tjerë Valter Mollaj, Edlir Mollaj dhe Bledi Angjo, mbrëmjen e 12 Qershorit 2022. Por Tina Pajollari rrëfeu se kësaj deklarate që kishte dhënë për vetëimplikimin në ngjarje tashmë nuk i qëndronte më.

Policia pretendon se ndalimi i Tina Pajollarit është bërë me vendim të Gjykatës së Korçës të datës 14 Tetor duke mos specifikuar provat dhe faktet që ka arritur të sigurojë për implikimin e 18-vjeçares Pajollari, emri i të cilës u përmend për herë të parë nga babai i viktimës, Nevzat Çeço, i cili në një intervistë për emisionin “Uniko” në Klan Plus rrëfeu se i biri kishte folur për herë të fundit në telefon me Tina Pajollarin.

Uniko”, 12 Shtator 2022 – Tina Pajollarit, vajzës nga fshati Marjan i Korçës që nga momenti kur është mësuar vdekja e Martin Çeços, i janë marrë 4 apo 5 dëshmi nga oficerët e Policisë Gjyqësore dhe hetuesit e kësaj çështjeje. Madje pas emisionit të tretë të zhvilluar në emisionin “Uniko”, Tina Pajollarit i është marrë një dëshmi tjetër, një dëshmi e cila lidhet me një deklaratë tjetër që ajo pretendon se e kanë detyruar të bëjë në polici, ku ajo ka implikuar dhe veten e saj si bashkëpjesëmarrëse në udhëtimin drejt fshatit Kolanec për vrasjen e Martin Çeços.

Për këtë gjë, pasi Tina Pajollari ka dëshmuar dhe pretendon se është detyruar të dëshmojë këtë fakt, i është marrë një deklaratë tjetër Bledi Angjos, bariut të dy kushërinjve Edlir dhe Valter Mollaj që pasi është vënë në dijeni se çfarë ka deklaruar Tina Pajollari është kujtuar të dëshmojë se edhe Tina ka qenë në Kolanec me ta në krimin makabër.

Tina rrëfen për herë të parë udhëtimin që ka bërë në Kolanec, momentin kur është shoqëruar me makinë nga ana e autoriteteve shtetërore dhe momentin kur është filmuar nga ata për të pohuar detaje dhe fakte të këtij udhëtimi. Ndiqeni me vëmendje si e përshkruan Tina këtë udhëtim që i kanë bërë oficerët e Policisë Gjyqësore drejt fshatit Kolanec.

Spartak Koka: Sa herë të kanë marrë në pyetje deri në këto momente?

Tina Pajollari: Më kanë marrë shumë herë.

Spartak Koka: Dhe çfarë të thonë?

Tina Pajollari: Përsëri të njëjtën pyetje. I qëndron këtyre deklaratave që ke dhënë? Jo thashë se unë i kam thënë nga frika. Në rregull thanë, shko thuaji në gjykatë që unë i kam thënë nga frika.

Spartak Koka: Po në Kolanec përse të kanë çuar?

Tina Pajollari: Më çuan te rezervuari.

Spartak Koka: Kur?

Tina Pajollari: Po bën goxha.

Spartak Koka: Pasi unë kam ardhur këtu për intervistën apo përpara?

Tina Pajollari: Pas asaj. Më thonin që trego rrugën. Unë s’e dija rrugën fare andej. Unë i thashë deri në fshatin Lekas e di, isha vetëm, frikë kisha, më thonin kur të të pyes unë a të të kujtohet ndonjë gjë, më thonin thuaj po. Shikonte ndonjë gjë ai dhe kujtohej dhe unë ngaqë kisha frikë thoja po, e pranoja.

Spartak Koka: Edhe herët e tjera i ke pranuar?

Tina Pajollari: Po, thosha po.

Spartak Koka: Pra sa herë të marrin në polici ti thua e kam bërë dhe sa herë del nga policia thua nuk e kam bërë?

Tina Pajollari: Herën e fundit ishte ajo që më morën dhe më thanë, pastaj më morën tre herë pas. Atëherë tregova të vërtetën, asgjë nuk është e vërtetë thashë unë, unë i thashë nga frika. Që atëherë nuk më kanë marrë.

Spartak Koka: Tre herët e fundit i ke qëndruar versionit që ke marrë pjesë në krim apo nuk ke marrë pjesë në krim?

Tina Pajollari: Jo kam thënë.

Spartak Koka: Çfarë ke deklaruar herën e fundit që e ke pranuar krimin? Ke thënë që ke qenë dhe ti në Kolanec?

Tina Pajollari: Po.

Spartak Koka: Si e ke thënë? A mund të na e rrëfesh?

Tina Pajollari: Thashë që isha dhe unë me ata, unë qëndrova në makinë.

Spartak Koka: Si e ke përshkruar? Kush ishte ideatori që do ta vriste? Si e ke përshkruar ti ngjarjen?

Tina Pajollari: Ishte Valter Mollaj, thashë unë, ishte Edlir Mollaj. Ishte makina e Valter Mollajt, ishte dhe çobani. Shkuan të tre, unë qëndrova në makinë. Nuk zbrita.

Spartak Koka: Sipas këtij versioni kush ishte i interesuar ta vriste?

Tina Pajollari: Valter Mollaj!

Spartak Koka: Përse?

Tina Pajollari: Sepse bëhej xheloz që unë flisja me Martinin dhe ai bëhej xheloz për mua.

Spartak Koka: Kështu e ke thënë?

Tina Pajollari: Po!

Spartak Koka: Duke kundërshtuar këtë version që ke thënë, a ke frikë se ka prova në telefonin tënd që tregojnë të kundërtën e asaj që po na thua tani? Se tani po na thua që nuk ke folur kurrë në telefon me Martinin. Dhe po na thua që nuk i ke kthyer kurrë përgjigje Martinit. A ke frikë se nga telefoni i Martinit apo i joti të zbulohet që ke folur me Martinin?

Tina Pajollari: Jo.

Spartak Koka: Je e sigurt?

Tina Pajollari: Po, shumë e sigurt!

Spartak Koka: Po sikur të dalë që ke folur, çfarë do thuash?

Tina Pajollari: Jo, nuk kam folur. Jam shumë e sigurt që nuk kam folur.

Spartak Koka: Do t’i qëndrosh këtij versioni apo do kesh një version tjetër të tretë?

Tina Pajollari: Jo, do t’i qëndroj këtij versioni.

Spartak Koka: Se kjo është e vërteta apo se kjo të intereson?

Tina Pajollari: Po, kjo është e vërteta./tvklan.al