Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj reagoi menjëherë pas arrestimit të tre autorëve të grabitjes në fshatin Qinam të Tiranës.

“Edhe sot krimi mori një përgjigje të shpejtë nga Policia e Tiranës”, shkruan në Facebook Lleshaj i cili shton më tej se drejtuesit dhe oficerët e këtij operacioni meritojnë përgëzime të veçanta.

Sipas Lleshajt, falë angazhimit, ata i dhanë qytetarëve një lajm lehtësues.

“Goditja e fenomeneve të tilla, ku pabesisht dhe paturpësisht kryhen akte kriminale edhe brenda rretheve familjare, përveç reagimit policor, kërkon edhe reagim shoqëror.

Këta persona duhet të paguajnë jo vetëm detyrimin përballë ligjit, por edhe atë përballë familjes dhe shoqërisë në tërësi”, shkruan Lleshaj.

Tre persona u arrestuan në lidhje me një grabitje që ndodhi më 30 Prill në Qinam të Tiranës. Ata hynë të maskuar dhe u thanë pronarëve të shtëpisë që ishin policë. Pasi i lidhën të zotët e banesës ata morën 40 mijë lekë të reja./tvklan.al