Autoritete: Fejzullai veproi i vetëm

Policia austriake arrestoi 14 persona në një operacion masiv që zgjati deri në orët e vona të së martës në Vjenë pas sulmit terrorist që ndodhi në këtë qytet.

Autoritetet thanë se 20-vjeçari me origjinë nga Tetova e Maqedonisë së Veriut është autori i vetëm i masakrës që u mori jetën 4 personave derisa u ekzekutua nga forcat e policisë.

Ai ishte liruar nga burgu në Dhjetor të vitit të kaluar i akuzuar për lidhje me Shtetin Islamik. Sipas të njëjtave burime, forca të shumta të policisë ndërmorën një operacion të gjerë në kërkim të bashkëpunëtorëve të tij, por në fund deklaruan se sulmi ishte ndërmarrë vetëm nga i riu i radikalizuar.

14 të ndaluarit besohet se kanë pasur kontakte me atentatorin. Ministria e Brendshme austriake ka kërkuar informacione edhe nga homologët e saj në Maqedoninë e Veriut për 2 persona të tjerë.

Kancelari austriak Sebastian Kurz tha se viktimat ishin një burrë dhe një grua të moshuar, një djalë i ri për të cilin më vonë u mësua se kishte origjinën nga Struga e Maqedonisë dhe një kameriere.

22 persona të tjerë u plagosën. Njëra nga gratë që humbën jetën ishte nga Gjermania. Policia ka marrë nën hetim 22 mijë video për të zbardhur atë që ka ndodhur. Grupimi Shteti Islamik publikoi një video online në kanalin e tyre të propagandës ku merrte përsipër sulmin, por pa dhënë detaje të tjera.

Tv Klan