Policia e Kosovës arrestoi 16 serbë në Gjakovë dhe Prizren, të ndarë në katër automjete me targa të Kragujevcit të Serbisë. Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla deklaroi se struktura e të ndaluarve është e kombinuar, ku katër prej tyre rezultojnë oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë së Serbisë. Operacioni i përbashkët i disa organeve të sigurisë u zhvillua më 5 dhe 6 Prill.
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se këto grupe kishin për qëllim mbledhjen e informacioneve për objektiva të mundshme në Kosovë, pasi janë gjetur dëshmi të ndërlidhjes me strukturat e zbulimit ushtarak serb si dhe me anëtarë të grupit terrorist të Banjskës.
Hetimet paraprake kanë konfirmuar se një zyrtar i policisë serbe me gradë policore toger, ka lidhje të afërta familjare me anëtarët e grupit terrorist të Banjskës, Nemanja Radivojeviq dhe Vladimir Radivojeviq, ky i fundit është i dyshuari kryesor për vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku.
“Fakti që u strehuan në Seminarin Ortodoks të Bogosllavisë mund të tregojë për një tentativë për të shfrytëzuar institucione fetare për kamuflim ose për të shkaktuar tensione ndëretnike/fetare në Kosovë, duke përdorur ngjarje të sajuara për të nxitur reagime të dhunshme ose trazira. Organet e sigurisë do të vazhdojnë hetimet dhe do të informojnë opinionin publik për zhvillimet e mëtejshme,” thotë ministri Zveçla.
Me urdhër të prokurorit, të arrestuarit janë ndaluar për 48 orë.
Klan News