Policia: Ramazani dhe Runaj u ekzekutuan nga vrasës me pagesë



Policia: Ramazani dhe Runaj u ekzekutuan nga vrasës me pagesë

13:12 08/08/2020

Xhuljano Hoxha dhe Euglen Halili nuk pranojnë asgjë

Xhuljano Hoxha dhe Euglen Halili, janë dy personat që dyshohet se vranë Regis Runajn mbrëmjen e 29 Korrikut në Elbasan dhe që ndihmuan në ekzekutimin e Emiljano Ramazanit më 20 Korrik. Burime nga grupi hetimor thanë se te dy dyshohet se janë vrasës me pagesë.

Policia ka arritur të zbulojë se vrasja e Regis Runajt ndodhi ndërsa viktima dhe dy vrasësit ishin duke konsumuar lëndë narkotike në një park të qytetit në afërsi të varrezave.

Në debat e sipër me të, e kanë qëlluar 27 herë me thikë. Provë kryesore e grupit hetimor është një motor që iu gjet Xhuljano Hoxhës, ku u zbuluan disa gjurmë gjaku. Nga analizat në laboratorit shkencor, doli se gjaku i përkite viktimës Regis Runaj. Pas zbulimit të provës shkencore policia arrestoi 26-vjeçarin si dhe shokun që e ndihmoi për vrasjen, Euglen Halilin.

Po kështu Xhuljano Hoxha dhe Egulen Halili, sipas policisë, kanë marrë pjesë edhe në ekzekutimin e Emiljano Ramazanit.

“Nga hetimet intensive ka rezultuar se këta dy shtetas janë të përfshirë edhe në vrasjen e shtetasit E. R., ndodhur më datë 20 korrik 2020 në qytetin e Elbasanit, pasi nga provat e grumbulluara rezulton se të dy këta shtetas kanë ndjekur dhe kontrolluar lëvizjet e viktimës”.

Dy të rinjtë mendohet se janë paguar për ekzekutimin e Emiljano Ramazanit, por ende nuk ka informacion për porositësit. Regis Runaj mendohet të jetë vrarë pas dyshimeve se ai mund të tregonte në polici pikërisht për vrasjen me pagesë që ishte kryer.

Tv Klan





Të ngjashme