Artan Koçeku i shpallur në kërkim për vrasjen e shokut të tij është vënë pranga nga policia e Shkodrës. Më 12 Dhjetor të 2017-s, Koçeku ekzekutoi në makinë 35-vjeçarin Angjelin Shkambi, për shkak të një borxhi të pashlyer prej 30 mijë eurosh. Në kohën kur kreu krimin, 29-vjeçari kishte marrë 1 javë leje nga burgu i Peqinit, pasi ishte dënuar me 7 vite burg për vjedhje me armë.

Pas vrasjes, Koçeku u shpall në kërkim, por edhe gjatë kësaj kohe ai u përfshi në një konflikt me armë vitin 2018. Me makinën me të cilën udhëtonte i riu, policia gjeti një pistoletë dhe disa fishekë. Bashkë me Koçekun u arrestua edhe një 24-vjeçar nga Tirana me akuzën e përkrahjes së autorit të krimit.

Ndërsa policia e Durrësit njoftoi arrestimin e 53-vjeçarit Skënder Baku nga fshati Luz i Fushë Krujës. Ai ishte dënuar me 35 vjet burg për vrasjen e Lulzim Sherës, në 1 Shtator të 2013-s në qendër të Fushë Krujës. Ngjarja kishte motive hakmarrjeje pasi viktima kishte kryer 21 vite burg për vrasjen e vëllait të autorit.

Tv Klan