Vranë edhe dy persona të tjerë në Mars

Ky që shihni në foto, dyshohet se ka vrarë 4 të rinj brenda dy muajsh. Është Altin Ndoci 33 vjeç, nga Tirana.

Policia thotë se bashkë me një 22–vjeçar me inicialet K.A. nga Durrësi, ai ekzekutoi të hënën e 27 Prillit dy vëllezërit Viktor dhe Besmir Haxhia, në Shënavlash të Durrësit. Që të dy u kapën në një operacion të Policisë së Durrësit dhe forcave RENEA.

FOTO: Altin Ndoci

“Mbi bazën e provave të grumbulluara nga puna hetimore, u finalizua operacioni policor i koduar Shën Vlash, në kuadër të të cilit u bë zbulimi, identifikimi, kapja dhe ndalimi i shtetasve A. N. 33 vjeç banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”; K. A. 22 vjeç, banues në Durrës”, tha drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu.

Policia thotë se Ndoci dhe miku i tij kanë kryer edhe vrasjen e Dorian Shkozës dhe Anxhelo Avdiajt më 2 Mars në zonën e Nishtullës, jo shumë larg vendit të atentatit të dy vëllezërve.

“Falë veprimeve profesionale dhe hetimore të kryera nga grupi i posaçëm hetimor u bë e mundur edhe zbardhja e ngjarjes së ndodhur më datë 02.03.2020, në lagjen nr. 14, në rrugën “Vath Truja”, Durrës, ku mbetën të vrarë me armë zjarri shtetasit D. Sh., 35 vjeç dhe A. A., 24 vjeç, ngjarje për të cilën dyshohet se autorë janë dy shtetasit e arrestuar”.

Motivi i krimit, sipas policisë, është prishja e pazareve për aktivitete të paligjshme.

“Po nga hetimet e kryera dhe kqyrja e vendit të ngjarjes rezulton se mekanizmi i kryerjes së krimit në të dyja ngjarjet është i ngjashëm dhe shkaku dyshohet të jetë prishja e pazareve për aktivitetin kriminal”.

Policia nuk dha detaje mbi dinamikën e operacionit. Por mësohet se ka qenë 22–vjeçari ai që ka folur përpara grupit hetimor duke treguar gjithçka me detaje. Ai është ndaluar në Tiranë për një shkelje administrative, por policia e kishte mbajtur nën vëzhgim prej disa ditësh.

Ai ka treguar edhe personat e tjerë të përfshirë në të dyja ngjarjet. Policia tha se po punon për kapjen e tyre, por nuk dha detaje për shkak të hetimeve.

Tre automatikët kallashnikovë të përdorur në atentate u gjetën në një kanal afër vendit të krimit, ndërsa makina e përdorur nga autorët dhe 14 telefona celularë me të cilët besohet se është komunikuar për të koordinuar vrasjet, u gjetën në Arapaj.

Tv Klan