Arrestohen 2 zyrtarë të Bashkisë Kamëz



Arrestohen 2 zyrtarë të Bashkisë Kamëz

09:56 23/01/2021

U deshën 6 muaj hetime që dy zyrtarë të Bashkisë së Kamzës të përfundonin në pranga për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Mësohet se dy Inspektorë të Mbrojtjes së Territorit në këtë institucion janë vënë në pranga pas hetimeve të SPAK-ut në bashkëpunim me Policinë e Tiranës. Bëhet fjalë për një 47-vjeçar dhe një 36-vjeçar.

Të arrestuarit janë Dritan Nikolli me detyrë Kryeinspektor i Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit Bashkia Kamëz dhe të Ermal Baci, me detyrë Inspektor pranë këtij institucioni.

“Pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.06, datë 22.01.2021 ka vendosur: Caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj shtetasve Dritan Nikolli dhe Ermal Baci, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuara nga nenet 259 dhe 248 të Kodit Penal”, thuhet në një njoftim të SPAK.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin përgjatë periudhës 6-mujore të hetimeve u kanë kërkuar dhe u kanë marrë para personave që konstatonin se kryenin ndërtime pa leje. Në këmbim, dy inspektorët premtonin mosndëshkimin me masa administrative sipas ligjit.

Policia njofton ndër të tjera, se po vijon punën për identifikimin edhe të personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari korruptive. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për veprime të mëtejshme hetimore./tvklan.al







Të ngjashme