Policia sllovake ka arrestuar tre persona si të dyshuar për vrasjen e gazetarit investigativ dhe të fejuarës së tij. Jan Kuciak dhe Martina Kusnirova u ekzekutuan në muajin Shkurt të këtij viti, duke shënuar kështu vrasjen e parë të një gazetari në historinë e Sllovenisë. Gazetari 27-vjeçar ishte duke hetuar për korrupsionin politik, që pretendohej se ishte i lidhur me krimin e organizuar italian.

Sipas mediave sllovake, dy nga të arrestuarit janë ish-polic dhe ish-ushtarak. Tre të arrestuarit akuzohen për vrasje me paramendim dhe krime të tjera. Më herët policia kishte deklaruar se gazetari Kuciak besohet të ishte vrarë për të ndalur investigimin që kishte nisur. Artikulli i tij i papërfunduar u botua pas vdekjes. Sipas këtij artikulli, biznesmenë nga Sllovakia lindore kanë lidhje me mafian italiane Ndrangheta, dhe përvetësojnë fondet e Bashkimit Evropian. Gazetari i vrarë, në artikull ka shkruar gjithashtu se ata kanë edhe lidhje politike në vend.

Të gjithë personat e përmendur në artikull u arrestuan nga policia pas ekzekutimit të gazetarit, por më vonë u liruan që të gjithë. Kyreministri i atëhershëm, Robert Fico ofroi 1 milionë Euro shpërblim për këdo që kishte informacion për vrasësit. Megjithatë, ai u rrëzua nga pushteti pas protestave masive anti-korrupsion të frymëzuara nga vrasja e gazetarit.

/tvklan.al