Policia e Tropojës ka vënë në pranga 3 të rinj. Ata janë kapur pasi në makinën ku udhëtonin janë gjetur rreth 8 kilogramë kanabis, 1 armë zjarri dhe një karikator me 30 fishekë.

“Në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushat e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe informacionet e siguruara në rrugë operative, shërbimet e Policisë kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Rrjeta”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:

-E. Gj., 24 vjeç, banues në Geghysen, Tropojë, F. S., 34 vjeç, banues në Bugjon, Pukë dhe E. M., 22 vjeç, banues në Fierzë, Tropojë.

Këta shtetas u kapën në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në vendin e quajtur “Ura e Drinit”, Fierzë, duke udhëtuar me automjetin tip “Mitsubish”, në të cilin, gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën rreth 8 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis, 1 armë zjarri automatik, si dhe një karikator me 30 fishekë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”.

Policia thotë se po vijon hetimet për të identifikuar personat e tjerë që mund të jenë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tropojë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”./tvklan.al