Tre vëllezërit Gerald Marini 38 vjeç, Marjus Marini 42 vjeç dhe Arjan Marini 40 vjeç u vunë në pranga nga Policia e Beratit, ndërsa A.Marini, vëllai tjetër i tyre u shpall në kërkim për ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në këtë qytet.

Fillimisht, personat në fjalë gjatë një konflikti për motive të dobëta dhunuan çiftin e bashkëshortëve, A.M dhe O.M. Por jo vetëm kaq.

Kur policia ndërhyri për të shuar konfliktin, ata dhunuan dhe tentuan t’i marrin armën njërit prej oficerëve, arma e të cilit dyshohet se kreu qitje aksidentale. Efektivi mori plagë në këmbë dhe aktualisht ndodhet në spitalin e Traumës në Tiranë.

“Në momentin e ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë, vëllezërit kanë dhunuar, goditur dhe kanë tentuar t’i marrin armën e shërbimit njërit prej punonjësve të policisë dhe gjatë konfrontimit fizik dyshohet se arma ka kryer qitje të pavullnetshme ku është plagosur në këmbë punonjësi i policisë Julian Xh., i cili pasi mori mjekim në Spitalin Rajonal Berat u transportua për në Spitalin e Traumës Tiranë, për ndihmë mjeksore më të specializuar“, sqaron policia e Beratit në një njoftim për mediat./tvklan.al