Dyshohen për 2 milionë Dollarë abuzime

Një abuzim prej afro 2 milionë Dollarësh ka çuar në prangat e policisë zyrtarë e biznesmenë. Tre punonjës të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, dy të Tatimeve dhe një biznesmen u arrestuan, ndërsa një zyrtar tjetër i agjencisë dhe një biznesmen u shpallën në kërkim, në operacionin e koduar me emrin “Akciza”. 

Prokuroria e Tiranës thotë se inspektorët e Tatimeve, Arben Doda e Simon Marku dhe zyrtarët e AKBN-së Qano Hoxhaj, Denis Durrsi dhe Rezarta Sulejmani, përfitimin e kanë kryer nëpërmjet falsifikimeve. Gjykata e Tiranës caktoi masën arrest me burg për 4 të parët dhe arrest shtëpie për Rezarta Sulejmanin. Në burg është lënë edhe biznesmeni me inicialet N.K., që administron kompaninë “Phonix Petrolium”.

I përfshirë është edhe drejtori i Drejtorisë së hidrokarbureve në kohën kur janë kryer abuzimet, K.G, i cili ka mbajtur edhe postin e drejtorit të OST. Ai është shpallur në kërkim, pasi dyshohet se u largua drejt Turqisë pak orë para se të niste operacioni. Prangave u ka shpëtuar edhe biznesmeni me inicialet I. B. Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për këtë rast në 2016-tën pas kallëzimit të drejtorit të kompanisë Albpetrol.

Kompania “Phoenix Petroleum” e kishte fituar të drejtën për të shfrytëzuar disa puse nafte, me detyrimin që të kryente investime, te cilat do të verifikoheshin nga AKBN. Por kompania nuk i ka kryer investimet dhe ka paraqitur në AKBN tetë fatura të falsifikuara për shërbime që realisht nuk i ka përfituar nga një kompani amerikane, Black Swan Energy Service.

Nga hetimet ka rezultuar se, zyrtarët e tatimeve përpiluan një raport kontrolli të paligjshëm duke i shkaktuar administratës së Tatimeve një dëm prej 568 mijë Dollarësh, ndërsa AKBN-së një dëm prej 1,472 milionë Dollarësh, ose në total një dëm prej 2 milionë Dollarë.

Tv Klan