6 zyrtarë të administratës kanë përfunduar në prangat e policisë së Tiranës, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim. Bëhet fjalë për punonjës të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN) dhe punonjës të Tatimeve, të cilët akuzohen për kontrabandë me mallra që paguhet akcizë, fshehje të të ardhurave e shpërdorim detyre.

Burime për tvklan.al bëjnë të ditur se në pranga kanë përfunduar Qani Hoxhaj, Denis Durrsi, Arben Doda, Simon Marku dhe Naim Kasa, të gjithë punonjës të AKBN. Ndërkohë, në arrest shtëpie është lënë Rezarta Sulejmani.

Sa i përket të shpallurve në kërkim, ata janë Klodian Gradeci, 45 vjeç dhe I.R.

Hetimet

Hetimet disa mujore nisën pas një kallëzimi nga Drejtori i Përgjithshëm i Albpetrol.

Hetimet zbuluan se shoqëria “Phoenix Petroleum” që drejtohej nga Naim Kasa dhe I.R., e cila me Marrëveshje Hidrokarbure të miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe të ndjekur për ecurinë e saj nga AKBN ka shfrytëzuar disa puse nafte. Me qëllim plotësimin e detyrimeve për Programin Minimal të Punës dhe në kushtet kur këto investime nuk janë kryer, kjo shoqëri ka paraqitur në Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore 8 fatura të falsifikuara për shërbime, të cilat në fakt nuk janë përfituar nga kompania amerikane Black Swan Energy Service.

Falsiteti i këtyre faturave është konfirmuar nga autoritetet gjyqësore amerikane dhe vlera totale e tyre është 1,299,000 USD.

Punonjësit e AKBN të arrestuar Denis Durrsi, Qani Hoxhaj, Rezarta Qose dhe Klodian Gradeci, aktualisht në kërkim, kanë certifikuar në mënyrë të kundërligjshme punimet e pakryera të pasqyruara në këto fatura si punime të kryera. Po kështu, punonjësit e administratës tatimore Arben Doda dhe Simon Marku kanë përpiluar një raport kontrolli në kundërshtim me ligjin duke bërë të mundur që kjo administratë të pësojë një dëm ekonomik prej 568.000 USD.

Dëmi që ka pësuar në mënyrë të drejtpërdrejtë AKBN nga veprimet e kundërligjshme të punonjësve të saj është 1.427.766 USD.

Njoftimi i policisë

Tiranë-Finalizohet operacioni policor i koduar “Akciza”.

Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra për të cilat paguhet akcizë.

Ekzekutohen 6 masa sigurimi si dhe shpallen në kërkim dy shtetas të tjerë.

Seksioni për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, pas një pune intensive hetimore disa mujore, finalizoi me sukses operacionin policor “Akciza”.

Në kuadër të këtij operacioni u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, e cila, bazuar në provat e grumbulluara në kuadër të procedimit të regjistruar, pas një pune disa mujore nga Seksioni për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, ka caktuar masë sigurimi ndaj 6 personave nën hetim, konkretisht:

Masën “Arrest në burg“ ndaj 5 shtetasve:

Denis Durrsi, 38 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë Drejtor i Drejtorisë Ekonomike tek Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Qani Hoxhaj, 63 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë inspektor tek Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Simon Marku, 32 vjeç, banues në Tiranë, rruga “Ylbere Bylykbashi“, me detyrë inspektor tek Drejtoria Rajonale e Tatimeve Tiranë, për veprën penale “Moskryerjes së detyrave nga organet tatimore”.

Arben Doda, 50 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë inspektor tek Drejtoria Rajonale e Tatimeve Tiranë, për veprën penale “Moskryerjes së detyrave nga organet tatimore”.

Naim Kasa, 53 vjeç, banues në Tiranë, biznesmen, për veprat penale “Mashtrim me pasoja të rënda kryer në bashkëpunim”, “Kontrabandë me mallra që paguhet akcizë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Masën “Arrest në shtëpi” ndaj 1 shtetaseje:

Rezarta Sulejmani (Q), 35 vjeç, banuese në Tiranë, me detyrë inspektore në Drejtorinë e Auditimit tek Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Po në vijim të operacionit u shpallën në kërkim Klodian Gradeci, 45 vjeç dhe I.R.

Vijon puna për dokumentimin ligjor të plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme. /tvklan.al