Dy ditë pas vrasjes së 21-vjecarit Ervis Zyba në Fushë-Milot policia ka arrestuar dy autorët e dyshuar te këtij krimi.

Vëllezërit Elgert dhe Dorjan Cara janë prangosur mbrëmjen e së premtes dhe akuzohen për vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim.

Ndërkohë që janë shpallur në kërkim edhe 2 shtetas të tjerë, të përfshirë në këtë konflikt. Nga hetimet paraprake të policisë, dyshohet se viktima nuk ka patur konflikte me autorët . Por miku i tij, Xhevahir Lika më të cilin shoqërohej natën e vrasjes, prej një viti kishte konflikt të hapur me Elgert Carën, një nga autorët.

Policia ndërtoi dinamikën si ndodhi ngjarja. Nga këto informacione mësohet se  viktima Ervis Zyba së bashku me shokun e tij, Xhevair Lika, kanë qenë në lokalin ku ndodhi ngjarja.

Rreth orës 01: 30 të mëngjesit të së premtes kanë hipur në automjetin e tyre. Në këto momente drejt tyre janë afruar shtetasit Elgert Cara dhe Dorjan Cara të cilët janë konfliktuar me Xhevair Likën.

Në debat e sipër  Elgert Cara ka qëlluar me armë automatike, ndërsa  Dorjan Cara ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim automjetit ku ndodhej objektivi i tyre. Xhevair Hysa  është kundërpërgjigjur duke qëlluar me armë zjarri. Shkëmbimi i zjarrit i ka marrë jetën 21 – vjeçarit Ervis Zybës.

Tv Klan