policia

Policia e Kurbinit arrestoi të dyshuarit për vrasjen e 58 – vjeçarit Ndrec Prendi nga fshati Selitë i Laçit. Uniformat blu të Qarkut të Lezhës kanë mundur të gjyrmojnë e më pas të vënë në pranga Indrit dhe Xhoana Ndocin, përkatësisht 29 dhe 24 vjeç banues në të njëjtin fshat.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 08:00 të ditës së djeshme në malësinë e Kurbinit. Nga hetimet e para të grupit hetimor është bërë e ditur se mes autorëve dhe 58 – vjeçarit Prendi, i cili kishte edhe lidhje krushqie me autorët, ka pasur edhe më parë konflikte. Mëngjesin e së hënës autorët kanë debatuar fillimisht me viktimën, debat që është parë në distancë edhe nga disa banorë të tjerë. Kjo periudhë është sezoni i vjeljes së gështenjave dhe në ditët e fundit dy familjet kishin pasur disa herë konflikte me njëra -tjetrën, madje siç mësohet ka pasur ankesa deri edhe në polici.

Pasi kanë debatuar ashpër me viktimën, ata kanë marrë menjëherë armën e zjarrit duke qëlluar në drejtim të tij. Policia gjeti në vendngjarje 20 gëzhoja automatiku. Paraprakisht dyshohet se arma është përdorur nga Indrit Ndoci. Më pas të dy, vëlla e motër, u larguan nga vendi i ngjarjes. Banorët e zonës kanë njoftuar menjëherë policinë.

Konflikt kishte nisur që prej kohësh mes familjeve “Ndoci” dhe “Prendi” për një sipërfaqe prej rreth dy dynym toke me gështenja që gjendet në vendin e quajtur “Lajthiza e madhe” Selitë – Kurbin. Palët ishin edhe në një proces gjyqësor. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Kurbin do të hetojë të arresturit për veprat penale: Vrasje me dashje e kryer në bashkëpunim dhe Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve të zjarrit.

Frika e ndonjë hakmarrjeje të mundshme ka bërë që blutë e Kurbinit të mbajnë nën mbikëqyrje edhe dy banesat e autorëve dhe të viktimës, pasi janë afër njëra- tjetrës.

Tv Klan