Polici i Patrullës Serxhio Cani, 23 vjeç që shihni në foto dhe polici bashkiak, Sajmir Muzikanti, 39 vjeç, u arrestuan nga Policia dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore për vjedhje.

Arrestimi i dy punonjësve të Policisë erdhi pas kallëzimit të dy qytetarëve, të cilët pretendonin se efektivët pas kontrollit i kishin marrë vlera monetare, duke i thënë se ndryshe do i shoqëronin në komisariat.

Burime të Televizionit Klan thanë se Cani dhe Muzikanti gjurmonin persona të cilët konsumonin kanabis nga zona e Liqenit Artificial, por edhe qytetarë të cilët ishin të veshur mirë.

Pasi i afroheshin me pretendimin se në kuadër të punës duhet t’i bënin kontrolle, ata i merrnin vlerat monetare që i gjenin në xhep dhe më pas largoheshin. Këto vlera shkonin deri në 5 mijë lekë të reja.

Hetimet për veprimtarinë e dy efektivëve vijon nga AMP për dokumentimin e ndonjë rasti tjetër të ngjashëm.

Tv Klan