Policia e Tiranës ka arrestuar dy shoferët Etjon Lazri 31 vjeç dhe Edmond Murati 36 vjeç të cilët u përfshinë në aksidentin fatal me dy të vdekur në kryeqytet. Ata akuzohen për shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor.

Nga përplasja e dy mjeteve, humbën jetën dy këmbësorët Erion Balla 36 vjeç dhe Hidajete Salliu 72 vjeç.

Aksidenti i rëndë ndodhi në orën 15:00 në rrugën “Xhanfize Keko” në zonën e Porcelanit në kryeqytet. Nga përplasja e dy automjeteve “Volkswagen”, njëri prej tyre u zhvendos disa metra duke përplasur dy këmbësorët në trotuar, të cilët po qëndronin pranë vijave të bardha. Ata humbën jetën menjëherë.

Sipas policisë, makina me targa AA 758 YZ që drejtohej nga Edmond Murati po udhëtonte në drejtim të sheshit “Shtraus” kur tentoi të kthehej në anën e majtë. Në këtë moment, përplaset nga automjeti i dytë me targa AA 544 SX i drejtuar nga Etjon Lazri, që po udhëtonte me shpejtësi të lartë dhe në anën e kundërt të korsisë në tentativë parakalimi. Për shkak të përplasjes së fortë, mjeti i Etjon Lazrit u zhvendos duke përplasur dy këmbësorët dhe një shtyllë. /tvklan.al