Me pankarta në duar, ata bllokuan autostradat kundër përdorimit të karburanteve

Më shumë se 1,500 aktivistë u arrestuan gjatë protesteve të organizuara nga grupi i klimës “Extinction Rebellion” në Hagë. Aktivistët bllokuan autostradat në shenjë proteste kundër përdorimit të karburanteve duke shkaktuar trazira.

Ata thyen xhamat e disa ndërtesave dhe në to vendosën pankarta. Policia përdori gaz lotsjellës dhe ujë për të shpërndarë aktivistët që po bllokonin rrugët kryesore. Nga 1500 protestues të arrestuar, 40 prej tyre do të ndiqen penalisht me akuza përfshirë vandalizëm.

Disa të famshëm holandezë ishin në mesin e protestuesve, duke përfshirë Carice van Houten, e njohur më mirë për rolin e saj si Melisandre në serialin televiziv Game of Thrones.  Sipas Extinction Rebellion, 7000 njerëz iu bashkuan demonstratës.

Protestuesit mbanin pankarta në duar me sloganin “2030” ku një pjesë e madhe e qeverive kanë kërkuar që emetimet e karbonit të reduktohen me 62 përqind deri në vitin 2030. Të tjerë mbanin çadra në duar dhe slogane me planetin Tokë.

Kjo është protesta e shtatë e organizuar nga aktivistët e klimës Extinction Rebellion në të njëjtat të autostrada në Hagë, pranë ndërtesave të parlamentit dhe ministrive kryesore. Por këtë herë kjo demostratë solli numërin më të lartë të të arrestuarëve.

Këtë javë aktivistët nga Extinction Rebellion iu bashkua grupeve të tjera për ndryshimet klimatike duke protestuar  kundër panairit më të madh të shitjeve të avionëve privatë në Evropë në Gjenevë. Disa aktivistë u lidhën me zinxhirë me avionët e ekspozuar dhe trafiku ajror u ndërpre për pak kohë në aeroport.

Klan News